Konsullata amerikane: Ja rruga për në SHBA, Vizat amerikane, si ta shmangni refuzimin dhe mundësia e riaplikimit.

1143
0

Vizat amerikane, si ta shmangni refuzimin dhe mundësia e riaplikimit

Zyra konsullore u përgjigjet shqetësimeve për udhëtimet turistike, veçoritë e intervistës, bashkimin familjar, datat e lotarisë, kërkesat për studim dhe avantazhet e zotërimit të një pasaporte të BE-së

Zyra konsullore e ambasadës amerikane në Tiranë u është përgjigjur disa pyetjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve për marrjen e vizave turistike, pikat e nxehta të intervistave dhe mundësitë që ekzistojnë për të riaplikuar. Gjithashtu, seksioni konsullor ka sqaruar edhe disa raste të kërkesave për bashkim familjar apo të fituesve të Lotarisë së Vizave Amerikane.

1 – Nëse viza turistike më skadon në muajin tetor për aplikimin e një vize të re duhet ta bëjë që nga dita që më skadon viza apo edhe më herët? Për rinovim vize është përsëri e njëjta procedurë apo ka procedurë më të lehtësuar?

Zyra konsullore: “Jo, ju mund të aplikoni dhe pak më përpara ose dhe më mbrapa nuk përbën ndonjë problem. Nëse viza juaj ka më pak se 12 muaj që ka skaduar ju mund të kualifikoheni për të dërguar aplikimin tuaj për shqyrtim me anë të postës DHL”.

2 – Duam të aplikojmë me disa nxënës shkolle, mosha 12-13 vjeç, për vizë turistike. Ndoshta nuk bëhemi 10 vetë (ashtu kërkohej nga faqja juaj për të lënë një takim në grup), sepse ka nxënës që e kanë vizën. A ka ndonjë mënyrë për të aplikuar në grup? Nëse nxënësi e ka vizën në pasaportë, a mjafton një autorizim nga prindi për ta shoqëruar mësuesi që të kalojë kufirin?

Zyra konsullore: “Mund të na shkruani në adresën e e-mail që t’ju udhëzojmë në lidhje me këtë çështje. [email protected]”.

3 – I fejuari është nënshtetas amerikan dhe ka dorëzuar letrat për vizë të së fejuarës që në shtator në Amerikë janë pranuar nga NVC. Sa kohë vonojnë që të kalojnë në ambasadën tonë?

Zyra konsullore: “Pasi i fejuari yt dorëzon peticionin I-129F pranë USCIS në SHBA, USCIS-it mund t’i duhet rreth 5-7 muaj për ta miratuar, parashikuar që ju i keni dërguar të gjitha dokumentet e nevojshme në peticion. Menjëherë pasi miratohet peticioni nga USCIS, ai i kalon Qendrës Kombëtare të Vizave, e cila krijon çështjen në emrin tënd dhe na e dërgon neve në seksionin konsullor dosjen tuaj. Ne më pas ju kontaktojmë për të përgatitur dokumentacionin e nevojshëm. Kjo varet se sa shpejt e saktë i përgjigjeni kërkesës sonë – aq më shpejt caktimi i intervistës”.

4 – Jam aplikuese e bashkimit familjar kategoria F3. Data ime prioritare 21 Dhjetor 2005. Mund të më shpjegoni pse nuk kam marrë akoma zarfin me listën e dokumenteve? Tek Buletini i Vizave shikoj që jam shumë afër.

Zyra konsullore: “Mund të kontaktosh NVC-në dhe në këtë mënyrë përditëson edhe informacionin e kontaktit me ta. https://travel.state.gov/…/nvc-contact-information.html”.

5 – Pasaporta aktualisht më mbaron në 12.6.2021 dhe viza aktuale turistike më mbaron në prill të 2018-s. Pas mbarimit të vizës për të riaplikuar edhe një herë duhet të nxjerrë pasaportë tjetër apo bëhet me pasaportën aktuale? (pasaporta aktuale ka vetëm 3 flete te lira).

Zyra konsullore: “Zgjedhja është juaja. Por duke qenë se ka vetëm 3 fletë të lira, do të ishte e udhës të aplikoni për pasaportë të re, pasi 2 fletë i zë viza amerikane”.

6 – Kur NVC nis e-mail se dokumentet janë të sakta dhe je në radhë pritje për intervistë, sa kohë zgjat pritja afërsisht, kategoria F2A?

Zyra konsullore: “Tek kategoritë me kohë pritjeje, intervista do t’ju caktohet në momentin që çështja juaj është aktuale sipas Buletinit të Vizave. Qendra Kombëtare e Vizave (NVC) fillon procedurën e mbledhjes së dokumentacionit të nevojshëm disa muaj përpara se çështja juaj të jetë aktuale, në mënyrë që ju të mos humbisni kohë me këtë procedurë dhe çështja juaj të jetë gati sapo ajo të jetë aktuale”.

7 – Kam dy fëmijët që kanë mbaruar semestrin e parë në shkollat përkatëse, një në vitin e parë dhe tjetri në klasë të 6. A e vazhdojnë shkollën me SHBA po aty ku e kanë lënë dhe çfarë letrash duhet të kenë për sa i përket shkollës?

Zyra konsullore: “Nëse ju po thoni që ata janë me vizë imigruese dhe do të zhvendosen në SHBA, ju duhet të kontaktoni shkollën pranë rezidencës ku do të banoni dhe ata do t’ju udhëzojnë mbi procesin e pranimit”.

8 – Përveç të ashtuquajturit aplikim dhe pagesa përkatëse për një vizë turistike 1-javore (nuk e di nëse është e mundur kjo gjë), çfarë kërkesash të tjera kërkohen nga ana juaj?

Zyra konsullore: “Me postimet tona ne nuk duam të japim asnjë përshtypje të gabuar. Qëllimi ynë është informues, që informacioni të merret nga burimi zyrtar. Kini parasysh që nëse ju dëshironi të aplikoni ju mund ta bëni atë duke ndjekur hapat këtu: https://al.usembassy.gov/sq/visas-sq/. Vetëm oficeri konsullor që ju merr në intervistë pasi të ketë shqyrtuar çështjen tuaj dhe t’ju ketë intervistuar, ai do të marrë vendimin nëse gjendeni ose jo i kualifikueshëm. Gjithsesi, mbani parasysh që secili aplikant i vizës turistike duhet të tejkalojë prezumimin e qëllimit imigrues të aplikantit (https://travel.state.gov/…/visa…/visa-denials.html), pra që të dëshmojë që nuk është një imigrant i mundshëm, dhe që ka lidhje të forta ekonomike e familjare me Shqipërinë dhe që do të kthehet në Shqipëri pas një qëndrimi të shkurtër në SHBA. Aty ku ne dalim në përfundimin që një person ka lidhje të forta (punë, sociale, lidhje të tjera ekonomike, etj.), dhe që tejkalon prezumimin e qëllimit imigrues – të cilin ne jemi të detyruar me ligj që të prezumojmë çdo aplikant të kategorive jo-imigruese, atëherë ne jemi të lumtur dhe krenarë të lëshojmë këto viza, shpejt dhe me respekt. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, gjithçka varet posaçërisht nga situata juaj. Cilat janë qëllimet tuaja në SHBA? Sa kohë keni ndërmend të qëndroni? A do të punoni në SHBA? A keni lidhje të forta në Shqipëri dhe a keni në plan të ktheheni? Ju duhet të siguroheni që t’ia bëni vetes tuaj me ndershmëri këto pyetje (përpara se ju të aplikoni për vizë) dhe pastaj t’u përgjigjeni me sinqeritet gjatë intervistës tuaj, nëse ju aplikoni”.

9 – Në rast refuzimi të vizës amerikane, a mund të riaplikoj?

Zyra konsullore: “Mbani mend që refuzimet në Seksionin 214b të AIN nuk janë të përhershme. Lidhjet tuaja jashtë Shteteve të Bashkuara, si dhe kriteret e tjera për kualifikim për vizat jo-imigruese ndryshojnë përgjatë kohës, pasi edhe vetë jetët tona evoluojnë. Sigurisht, kjo lyp edhe pyetjen: “Kur mund të riaplikoj unë?” nëse dhe kur të aplikoni është tërësisht në zgjedhjen tuaj, por është e dobishme të mbani mend që nëse juve ju është refuzuar viza bazuar në lidhje jo të forta jashtë Shteteve të Bashkuara, do të ishte më e udhës që të prisni derisa situata juaj të ndryshojë përpara se të aplikoni përsëri për vizë, ose t’i evidentoni sa më qartë këto lidhje dhe fakte tek formulari juaj i aplikimit DS-160. Këshilla jonë më e mirë mbetet që të tregoheni të sinqertë dhe të vërtetë përpara oficerit konsullor rreth qëllimeve dhe kualifikimeve tuaja në sportelin e intervistës. Personat që duan të aplikojnë ta dinë që nuk na duhen të shikojmë gjithë ato dokumente – unë dua të bëj një bashkëbisedim me aplikantin e vizës në sportel, pa dokumente”.

10 – Jam i interesuar për të aplikuar për vizën amerikane. Unë jetoj në Greqi. Çfarë kriteresh duhen për të aplikuar për vizën dhe sa mundësi kam për ta marr vizën?

Zyra konsullore: “Secili aplikant i vizës turistike duhet të tejkalojë prezumimin e qëllimit imigrues të aplikantit (https://travel.state.gov/…/visa…/visa-denials.html), pra që të dëshmojë që nuk është një imigrant i mundshëm, dhe që ka lidhje të forta ekonomike e familjare me Shqipërinë dhe që do të kthehet në Shqipëri pas një qëndrimi të shkurtër në SHBA. Aty ku ne dalin në përfundimin që një person ka lidhje të forta (punë, sociale, lidhje të tjera ekonomike, etj.), dhe që tejkalon prezumimin e qëllimit imigrues – të cilin ne jemi të detyruar me ligj që të prezumojmë çdo aplikant të kategorive jo-imigruese, atëherë ne jemi të lumtur dhe krenarë të lëshojmë këto viza, shpejt dhe me respekt”.

11 – Një shtetas me pasaportë të Bashkimit Europian, sa mund të qëndrojë në SHBA dhe a mund të punojë?

Zyra konsullore: “Mund të vizitojë SHBA për 90 ditë e jo më shumë. Për të punuar duhet të aplikojnë për vizë punësimi”.

12 – Kam shumë dëshirë t’i bëj një vizitë familjes time në SHBA, Nevada. U bë dy vjet që nga aplikimi i parë, por kam marrë guximin të riaplikoj. Më ngelur në mendje përgjigjja në intervistën që dhashë: Ju nuk i përmbushni ligjet e USA për vizë!!! A janë të shkruara diku që t’i lexojmë?

Zyra konsullore: “Ne nuk mund të diskutojmë çështje individuale mbi vizat në forume publike, pasi ligji nuk na e lejon këtë gjë. Gjithsesi, kjo nuk më pengon të flas mbi refuzimet në përgjithësi. Unë e kuptoj mërzitjen tuaj. Refuzimet për vizë janë gjithmonë zhgënjyese dhe të vështira për cilindo, madje edhe për ne! Unë besoj se ajo për të cilën ju jeni të mërzitur është që ligji i Shteteve të Bashkuara mbi imigracionin, kështu siç është, është shumë strikt. Si zyrtarë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe si oficerë konsullorë, autoriteti ynë vendimmarrës mbi vizat – si për lëshimet, edhe për refuzimet – është tërësisht i lidhur me ligjin e Shteteve të Bashkuara mbi imigracionin, më saktësisht Akti i Imigracionit dhe Nënshtetësisë. Sipas Aktit të Imigracionit dhe Nënshtetësisë (AIN), neve na duhet të konsiderojmë çdo aplikant vizash jo-imigruese si një person që synon imigracionin në Shtetet e Bashkuara, pra si një imigrant të mundshëm, përveç rastit kur ata provojnë që nuk janë të tillë. Kjo është një pengesë ligjore e domosdoshme, tepër strikte, që duhet tejkaluar. Neve na duhet të shqyrtojmë çdo çështje për vizë individualisht. E thënë ndryshe, çdo person duhet të dëshmojë që ai ose ajo i plotëson kërkesat për kualifikim për për kategorinë e vizës dhe të ketë lidhje të forta me një rezidencë jashtë Shteteve të Bashkuara. Për shkak se secili person ka rrethanat e tij unike, ne nuk vijmë dot në të njëjtin konkluzion për çdo individ. Këshilla ime në përgjithësi për aplikantët (në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri), të cilët janë refuzuar nën Seksionin 212b të AIN, është që të kuptojnë se refuzimi nuk është një paragjykim, apo kritikë, ndaj jush personalisht. Oficeri konsullor nuk po paragjykon zgjedhjen tuaj në jetë apo situatën tuaj jashtë Shteteve të Bashkuara. Ata thjesht po bëjnë një vlerësim të lidhjeve tuaja jashtë Shteteve të Bashkuara, si dhe nëse ju i përmbushni ose jo kriteret për kualifikim të përcaktuara tek AIN, të cilat janë shumë strikte”.

13 – Çfarë duhet të bëj për t’u pajisur me vizë turistike? Ç’kushte duhet të plotësoj?

Zyra konsullore: “Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, gjithçka varet posaçërisht nga situata juaj. Cilat janë qëllimet tuaja në SHBA? Sa kohë keni ndërmend të qëndroni? A do të punoni në SHBA? A keni lidhje të forta në Shqipëri dhe a keni në plan të ktheheni? Ju duhet të siguroheni që t’ia bëni vetes tuaj me ndershmëri këto pyetje (përpara se ju të aplikoni për vizë) dhe pastaj t’u përgjigjeni me sinqeritet gjatë intervistës tuaj, nëse ju aplikoni”.

14 – Si mendoni, do të ketë më shanse për fituesit e Lotarisë 2018 që CN të rritet në muajt në vazhdim apo me këto ritme do të ecë?

Zyra konsullore: “Brenda 2-3 ditëve del buletini i ri i vizave. Stay tunned”.

15 – Diplomat IELTS njihen në SHBA nqs aplikoj për vizë pune?!

Zyra konsullore: “Duhet të flasësh me institucionin përkatës (shkollë apo punëdhënës) për kriteret e Anglishtes dhe nëse IELTS pranohet nga ta”.

16 – Jam fituese e DV 2018, në pritje për një datë interviste me cn 19***. Në plotësimin e DS, personi që më ndihmoi më ka bërë gabim te sponsori, gjithashtu nuk ka shkruar se ku kemi punuar më parë. Ka zgjedhur vetëm shkollën e mesme, ndërkohë unë kam edhe disa vite shkollë të lartë. Çfarë duhet të bëj? Të kërkoj çkyçjen e DS tani apo të pres të vijë data? Dhe diçka tjetër. Kam qenë në Gjermani për azil për 4 muaj, më duhet dëshmi penaliteti?

Zyra konsullore: “Sapo të mësosh mbi datën e intervistës, na shkruaj tek [email protected] për rihapjen e formularit. Suksese!”