Ëndrra amerikane e modeles shqiptare «Ju tregoj Ameriken..».

827
0

Ëndrra amerikane e Adrolës «E vetmja gjë që po më shkon mirë në jetë është puna»

Ajo ka një vit e gjysmë që i është drejtuar Amerikës, me synimin për të qenë pjesë e pasarelave të modës. Edhe më parë ka pasur përvoja profesionale në këtë vend, por vendimin për të jetuar në qendrën botërore të modës, e mori më vonë. “Në Shqipëri mora më të mirën e mundshme dhe mendova të provoja Amerikën. Nuk mendoj se do të ndjek gjithë jetën këtë profesion, por, deri tani, për fatin tim të mirë më ka ecur mbarë. Fillimi në Amerikë, sigurisht që ishte shumë i vështirë, por tani po ndihem mirë. Jam angazhuar në punë shumë të mira, po nënshkruaj kontrata të rëndësishme, klientët më duan shumë dhe tani mund të them me plot gojën: ‘Po, mund t’ia dal’”.

“Tani për tani jam e kënaqur me punën që bëj dhe e vetmja gjë që po më shkon mirë në jetë është puna,” – shprehet Adrola.

Sigurisht që do të na interesonte shumë të dinim emrat e kompanive dhe markave, të cilat e kanë rekrutuar si modele, por Adrola nuk tregon asgjë, sepse është shumë supersticioze. Si vajzë tradicionale që është, kjo gjë nuk na habit aspak. “Nuk dua të tregoj detaje për punën, por ajo që mund të them është se janë kontrata shumë të rëndësishme. Më ka ndodhur që sa herë kam folur për një punë, të gjitha pritshmëritë janë përmbysur. Para disa kohësh arrita të siguroja një kontratë të mirë dhe nuk e di se si nuk u bë ajo punë. Donin që të merrja pjesë patjetër, e morën vesh të gjithë e u bë legjendë dhe më pas, gjithçka u anulua. Ishte vendosur se do të shkoja ditën e martë ose të mërkurë dhe një ditë përpara më thanë: ‘Do ta shtyjmë për të mërkurën tjetër’ dhe nuk u bë kurrë, sepse në atë kohë duhej të kthehesha patjetër në Shqipëri. Sinqerisht besoj që ka ndikuar syri i keq (qesh). Ndaj nuk dua të flas për detaje. Falë Zotit, çdolloj audicioni që kam bërë, e kam fituar! Kam përshtypjen se kjo ka të bëjë me vetëbesimin që kam fituar, sepse atje është shumë e vështirë të arrish diçka. Jam shumë e lirshme e kjo gjë më ka ndihmuar shumë”. Megjithatë, për bukuroshen nga Shqipëria rruga drejt Amerikës nuk ka qenë e lehtë. Gjatë periudhave të shkurtra që ka jetuar atje, Adrola e pëlqente dhe e idealizonte shumë atë vend, por kur para një viti e gjysmë u vendos përfundimisht, pa se gjërat nuk ishin aq të lehta.
“Fillimi ka qenë një tmerr, – na thotë modelja, – sepse Amerika të jep gjithçka dhe s’të jep asgjë. I ka të dyja këto ekstreme. Ti nuk di ku je, kush je dhe kjo është sfida më e madhe. Asgjë nuk arrihet lehtë, por kur shkon aty dhe përballesh me atë realitet, i thua vetes: ‘Po unë kush jam?’ Atje e harron këtë dhe duhet të përballesh shpesh me veten. Atje e kupton se sa vlen, a ia del dot dhe çfarë karakteri ke. Aty del më e mira ose më e keqja jote. Të jepen të gjitha mundësitë për të dalë nga rruga e drejtë, sidomos në Manhatan, ku jetoj unë. Shikoj të rinj, të cilët kanë aq shumë liri, sa u del situata nga duart. Falë Zotit, unë e shikoj ndryshe këtë! Mbase është edhe Troi që më mban me këmbë në tokë dhe jam mirënjohëse çdo ditë që ai është pjesë e jetës sime. Përgjegjësia që kam për të, më bën të jem e kujdesshme dhe e vëmendshme ndaj shumë gjërave që më ndodhin,” – përfundon rrëfimin Adrola. Elona JAÇELLARI/