Komiteti i ekspertëve: Kerkojme mbylljen e universiteteve dhe lokaleve në Bllok..

425
0

Komiteti teknik i ekspertëve për pandeminë ka marrë vendimin, këtë të enjte, të propozojë mbylljen e universiteteve. Lajmi u bë i ditur nga kryetarja Mira Rakacolli.

“Në mbledhjen e zhvilluar pak momente më parë, Komitetin Teknik i Eksperteve, ka analizuar situatën dhe risqet, kemi vlerësuar situatën në rajon dhe Europë, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online. Pra, mësim vetëm në distancë, pa prezencën fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën me dinamikë. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”, tha Rakacolli.

Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerëson edhe mbylljen e pjesshme për aktivitetet e lokaleve, bareve e në zonën e Bllokut në Tiranë, si vatra rreziku për përhapjen e COVID-19.

“Njëkohësisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës”, tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se situata në 2 javët e fundit paraqitet me një rritje të numrit te rasteve, të cilat përkojnë me hapjen e  shkollave, bareve, restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese.

“Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht, janë rreth 500 vatra aktive në vend, 35% e të cilave janë përqendruar në Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese, por dhe me sezonin e vjeshtës që sjell më shumë grumbullime në ambientet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve iu ka bërë apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e COVID19, për të shmangur një mbyllje të dytë të vendit.

“Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojmë mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, tha Rakacolli.