Kishte parashikuar me saktësi përmbytjet e mëdha në Shqipëri, Sinoptikani grek alarmon sërisht Shqipërinë

565
0

Edhe pse këtë të mërkurë moti parashikohet i mirë kjo nuk do të zgjasë shumë. Janë sinoptikanët grekë që ngrenë alarmin për shtrëngata dhe rrebeshe shi që do të përfshijnë vendin tonë gjatë ditës së enjte. Sinoptikani i njohur grek, Sakis Arnautoglou paralajmëron përsëri për një përkeqësim të theksuar të motit ditën e enjte, në shumë territore të Shqipërisë.
Sakis Arnautoglou:
“Sidomos zonat që rrezikohen më shumë nga moti i keq, janë ato në kufi me Malin e Zi, Kosovën dhe Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë”.
Sinoptikani grek Arnaoutoglou parashikon se në Tropojë, Has, Pukë, Mirditë, Kukës e Dibër, reshjet e dëborës mund të shkojnë nga 0.4 deri në 1 metër dhe do të shoqërohen me stuhi të fuqishme. Reshjet sipas tij do të jenë tepër të dendura dhe do të zgjasin gati për 24 orë. Gjithashtu sinoptikani grek paralajmëron se në shumë rajone të Shqipërisë veriore, qendrore dhe verilindore, do të ketë erëra të fuqishme, të cilat do të arrijnë shpejtësinë nga 100 deri në 120 km në orë, dhe se ky është një fenomen i pazakontë për Shqipërinë, ka thënë ai.
Ndërkohë Arnautoglou kishte parashikuar me saktësi edhe përmbytjet e mëdha në Shqipëri, në fillim të dhjetorit të kaluar.