Keto 8 degët e studimit rrezikojne te mbyllen, qeveria i klasifikon me interes kombëtar, bursa dhe heqje tarifash

1780
0

Tetë janë degët të cilat pritet të klasifikohen me interes kombëtar dhe të mbështeten nga vetë fakultetet por edhe nga Ministria e Arsimit. Burime për Tv Klan bën me dije se 3 prej degëve janë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Matematika, Fizika dhe Kimia të cilat rrezikonin që të mbylleshin për shkak të numrit të ulët të studentëve dhe mosdaljen e mësuesve në këto degë.

Ndërsa 4 degët e tjera janë në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Rektori i këtij universiteti konfirmoi për Tv Klan se po pritet miratimi i kërkesës që 4 degët, zooteknika, agronomia, peshkimi dhe inxhinieri pyjesh të zerohen nga tarifa e studimit.

Nga 40 studentë që pranohen në degën e peshkimit dhe akuakulturë, këtë vit nuk u regjistrua asnjë student.

Edhe studentët që zgjedhin degën e mësuesisë pritet të përfitojnë nga programet mbështetëse përmes bursës apo përgjysmim tarife.

Vetë fakultetet kanë nisur shkresën me degët që duhet të mbështeten në Rektorat, e kjo e fundit në Ministrinë e Arsimit ku është ngritur edhe grupi i punës.

Për studentët që do të trajtohen me bursë, pritet që kërkesa të miratohet nga Ministria e Financave.