Një lidhje e nisur nga një njohje në rrjetet sociale ka çuar në përballje përpara policisë dy të rinj në vendin tonë.
Bëhet me dije se një 20-vjeçare nga fshati Beshisht i Vlorës është vënë nën hetim nga drejtoria Vendore e Policisë së Beratit. Kjo e fundit akuzohet se ka mashtruar një 25-vjeçar me të cilin kishte nisur një lidhje pas njohjes në Facebook.
Fillimisht lidhja e tij e kishte nisur në distancë ndërsa rreth 2 muaj më parë djali kishte udhëtuar drejt Vlorës për të takuar vajzën. Disa ditë më vonë ajo kishte nisur me kërkesat ndaj tij duke i kërkuar para.
“Kam nënën sëmurë me COVID, më duhen lekë për ilaçe. S’kemi lekë për bukë. Jemi pa ngrënë”, kanë qenë këto disa nga pretendimet me të cilat vajza mashtronte djalin duke arritur t’i zhvasë 580 euro në vetëm dy javë.
Djali kishte nisur të dyshonte nga justifikimet e ndryshme të vajzës dhe kishte shkuar në fshatin e saj për ta verifikuar kur në fakt është përballur me një zhgënjim.
Më pas ai kishte bërë një denoncim në polici. Në lidhje me këtë çështje blutë e Beratit kanë njoftuar se ka nisur një hetim në gjendje të lirë ndaj vajzës.