Italia njeh patentat shqiptare të marra pas 2017-s, kushtet dhe dokumentet… (Video)

2840
0

Duke nisur nga 8 shtatori nuk do të përsëriten skena të tilla, kur policia italiane ndalonte bashkëkombësit tanë që qarkullonin atje me patenta shqiptare.

Tashmë çdo shqiptar që disponon një lejë drejtimi të lëshuar në vitin 2017, mund të qarkullojë në Itali për një vit, nga data kur ka deklaruar rezidencën atje.

“Aktualisht jemi njoftuar për hyrjen në fuqi të amendimit të marrëveshjes më datë 8 shtator 2019. Nga kjo datë dhe në vazhdim të gjithë bashkëkombësit rezident në shtetin Italian që duan të konvertojnë këtë model leje drejtimi, mund të paraqiten pranë zyrave të transportit me këtë model leje drejtimi për aplikimin për konvertim të lejes së drejtimit model i ri”, sqaron Rozeta Shira, drejtoria e Drejtuesve të Mjeteve.

Pala italiane sqaron qytetarët shqiptarë se si duhet të veprojnë përgjatë 1 viti nga momenti kur janë bërë rezidentë atje. “Përgjatë kësaj periudhe duhet të kërkojnë konvertimin e patentës pa pasur nevojë të japin menjëherë provimet, por vetëm një kontroll për gjendjen fizike dhe mendore”.

Greqia e mban peng prej vitesh konvertimin e patentës shqiptare, ndërsa marrëveshje të ngjashme ekzistojnë me disa shtete të Europës.

Janë në proces bisedimet me disa vende të tjera.

“Kemi marrëveshje me Maqedoninë e Veriut, me Kosovën, me Malin e Zi, me Kroacinë. Është nënshkruar marrëveshja me Greqinë, por pritet njoftimi zyrtar i fundit nga pala greke. Po ashtu, pritet një informacion edhe nga Gjermania nëse do të pranojnë lejen e drejtimit shqiptare për konvertim apo jo”, tregon Rozeta Shira, drejtoria e Drejtuesve të Mjeteve.

Drejtoria e Transportit Rrugor thekson se marrëdhëniet diplomatike janë një rol kyç në proceset e njohjeve të patentave shqiptare nga shtetet e tjera.