Italia do të furnizohet me ujë nga Shqipëria, zbulohet projekti 1 miliard euro

126
0

Italia pritet të furnizohet me ujë nga Shqipëria me një projekt me vlerë 1 miliardë euro.

Ky projekt është gati  të sjellë ujin nga burimet shqiptare në tokën italiane, e cila po kalon një moment kritik të rezervave hidrike.

Puglia, Piemonte, Lombardia, Toskana, janë disa nga rajone italiane që shënojnë një defiçit të madh hidrik për shkak të thatësirës që ka arritur rekordin e 30 viteve të fundit.

Lajmi i këtij projekti tashmë gati në prag firme është bërë publik gjatë Asamblesë së Konfindustrisë së industrialistëve të rajonit të Puglias.

Presidenti i saj Sergio Fontana është shprehur se “kriza hidrike e sapo shfaqur gjatë këtij viti do të jetë emergjenca e vërtetë e së ardhmes”.

Ai është shprehur se Puglia ka të gjithë potencialin për t’u bërë një pikë referimi për furnizimin me ujë në nivel kombëtar e këtë ambicie mund ta nisë me këtë projekt fillestar me vlerë 1 miliardë euro që do të sjellë ujë nga burimet shqiptare më rajonet italiane më në nevojë.

Në Asamblenë e Konfindustrisë së Puglias është informuar se projekti  ka nisur vite më parë e është perfeksionuar në kohë.

Është diskutuar dhe gjatë kohës kur ministër i Turizmit ishte Fatmir Xhafaj e është ripropozuar nga Guvernatori i Puglias Emiliano gjatë takimit me Kryeministrin shqiptar Rama.

Projekti synon të lidhë nga një breg i Adriatikut në tjetrin, një Ujësjellës me 85 kilometra tubacione nënujë, 120 nën tokë, për të sjellë ujin nga Gjirokastra, Shqipëri, në Galugnano,  Salento.

Rajoni i Puglias ka pasur gjithmonë nevojën për t’u mbështetur në infrastrukturën e furnizimit nga rajonet fqinje, Basilicata dhe Campania.

Në Asamblenë e Barit ishte e pranishme dhe Konfindustria Albania, që përfaqëson kompanitë italiane që prodhojnë përtej Adriatikut .

Sergio Fontana u shpreh gjithashtu se “në Puglia, ne kemi aftësinë për të qënë një pikë referimi kombëtare për politikën e ujit me Ujësjellësin, më të madhin në Europë, me stacionin e parë kontraktues, e të bashkuar buzë detit Adriatiku e përballë Shqipërisë, një vend shumë i pasur me ujë. Ne kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme afërsie me Shqipërinë e kemi një mundësi të madhe për të trajtuar krizën e ujit në mënyrë parandaluese. Ne mund t’i japim jetë një projekti të madh dhe ambicioz të ndërtojmë një infrastruktuë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik midis Puglias dhe Shqipërisë”. /Alba Kepi /oranews/