INTERVISTE EKSKLUZIVE/ Gjermania: Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për hapjen e negociatave. Tahiri është ‘peshk i madh’. Xhafaj duhet të largohet

567
0

Një intervistë ekskluzive për Kryeredaktoren e “Opinion”, Desada Metaj, numri dy i partisë së Kancelares Merkel në CDU/CSU, Dr. Johann David Wadephul ka folur për situatën politike në Shqipëri dhe shanset për hapjen e negociatave. Duket qartë se Gjermania nuk është e kënaqur, ndërsa z. Wadephul shprehet se nuk janë plotësuar kushtet e BE që do të çonin në hapjen e negociatave në fund të këtij muaji. Ndërsa të tjera, z. Wadephul thotë në intervistë se peshqit e mëdhenj janë të paprekur, në rrjetë kanë rënë vetëm peshq të vegjël. Po kaq, ai thotë se Tahiri është peshk i madh dhe se çështja e tij është pengesë reale për hapjen e negociatave. Duke ju referuar deklaratave të ambasadorit amerikan Donald Lu, Wadephul shprehet: “Edhe Ambasadori Lu që nuk është shquar si mik i opozitës e pranon që Tahirin po e mbrojnë”.

Z. Wadephul shpehet gjithashtu pa ekuivoke kur insiston se duhet të zhbllokohet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.

Ai po ashtu shpreh shqetësimin se në Shqipëri është rritur trafiku i të gjitha drogave. Mesazh te prerë ai jep edhe kur deklaron se Reforma Zgjedhore kusht i rëndësishëm për hapjen e negociatave. Emërimet në administratë, sidomos në nivelet e larta, janë në shkelje të ligjit deklaron ai.

Dr. Johann David Wadephul që është njëherësh zv. Kryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU ne Bundestag, pergjegjes per politiken e jashtme, te sigurise dhe Keshillin e Europes, dhe Kreu i Grupit te Punes per Ballkanin Perendimor ka folur edhe për dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm ku deklaron se Fatmir Xhafaj nuk mund të qëndrojë si ministër pasi është në konflikt interesi. Mosdorëheqja e tij është në kundërshtim me standartet e BE për shtetin ligjor dhe pengesë për hapjen e negociatave.

Më poshtë intervista e plotë:

Desada Metaj: Në Shqipëri është perceptuar skepticizmi i Bundestagut për hapjen e negociatave. Me çfarë është lidhur kryesisht ky qendrim e parlamentareve gjermanë?

Johann David Wadephul: Ne duam që Shqipëria të mund të fillojë sa më parë negociatat e anëtarësimit. Në marrëveshjen e koalicionit mes CDU / CSU dhe SPD është shumë e qartë: “Kushti për hapjen e negociatave për anëtarësim është që vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin plotësisht kriteret e duhura”. Por kjo nuk ka ndodhur as në reformën në drejtësi, as në luftën kundër korrupsionit – veçanërisht korrupsion të rangut të lartë – as në luftën kundër krimit të organizuar, pra në asnjë nga kriteret kryesore.

Atëherë, çfarë tjetër duhet bërë përpara se negociatat e anëtarësimit të mund të fillojnë me hapjen e kapitujve të parë negociues? Si pjesë e reformës në drejtësi, vetëm pak nga rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë u janë nënshtruar të ashtuquajturit vetting.

Së paku, duhet të përfundojë plotësisht verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatave të instancave të larta dhe prokurorive, si dhe të organeve të apelit. Gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilëve u janë vërtetuar vepra të dënueshme në procesin e verifikimit (vettingut) duhet të jenë subjekt i procedimeve penale. Duhet të fillojë puna dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatave të instancave të larta dhe SPAK -ut. Kultivimi i kanabisit ra në mënyrë drastike në vitin 2017. Në të njëjtën kohë, megjithatë, është rritur trafikimi i drogës, dhe kundra kësaj duhet luftuar në mënyrë të qëndrueshme dhe vazhdueshme.

Zyrtarë të lartë në ministritë dhe drejtoritë e administratës publike u rekrutuan direkt pa konkurs, në kundërshtim me ligjin e shërbimit civil. Kjo është thyerje e ligjit dhe duhet të korrigjohet. Përveç kësaj, që nga viti 2013, OSBE dhe BE kanë kërkuar reformë zgjedhore, por asgjë nuk ka ndodhur që atëherë – kjo është një shpërfillje e madhe ndaj OSBE dhe BE! Parlamenti shqiptar duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje me planin e saj të punës deri në fund të vitit 2018. Ky është një kusht i domosdoshëm për ne deputetët, në mënyrë që të mund të votojmë pro hapjes së negociatave.

Desada Metaj: Negociatat e Shqiperisë me BE janë një çështje tepër e rëndesishme për shqiptaret. Mendoni se qeveria e Edi Ramës ka punuar mjaftueshëm për të plotësuar kushtet e vendosura nga Brukseli?

Johann David Ëadephul: Shumë vendime janë marrë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Por në realitet, shumë pak është bërë: korrupsioni mbetet ende një problem në të gjithë sektorin e drejtësisë. Ligjet ekzistuese dhe procedurat për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar janë aplikuar shumë më pak në mënyrë strikte ndaj zyrtarëve të lartë dhe politikanëve sesa ndaj zyrtarëve të mesëm dhe të ulët dhe ndaj qytetarëve të zakonshëm. Kështu që “peshqit e vegjël” u kapën dhe u dënuan, “peshqit e mëdhenj” mundën të depertonin jashtë rrjetës. Këtu kemi të bëjmë me shpërfilljen e një kushti themelor të sundimit të ligjit, i cili është trajtimi i barabartë i të gjithë qytetarëve para ligjit. Për aq kohë sa kemi të bëjmë me një shkelje të hapur të parimeve themelore të sundimit të ligjit të BE-së, kapitujt negociues nuk mund të hapen.

Desada Metaj: Si e shihni problemin që ka qeveria shqiptare me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili po gjykohet për përfshirjen në një organizate të strukturuar ndërkombetare për trafikun e lëndeve narkotike? Mendoni se drejtësia dhe instrumentet e saj janë ndikuar nga qeveria për këtë skandal?

Johann David Wadephul: Çështja Tahiri është një “peshk i madh”. Në këtë çështje kemi të bëjmë deri sot me shkelje të hapur të parimeve themelore të shtetit ligjor. Kjo çështje është një pengesë reale për hapjen e negociatave. Nëse ambasadori amerikan Donald Lu hedh akuza kaq të forta, atëherë duhet ta marrim këtë shumë seriozisht, sepse ambasadori Lu deri tani nuk ka rënë në sy si mik i opozitës.

Desada Metaj: Ndërkohë edhe ministri aktual i Brendshëm është pjesë e një skandali me të vëllain, i është dënuar dhe ai për trafik ndërkombetar droge ndërkohe që nuk ka vuajtur dënimin por ka jetuar i lirë në Shqipëri?

Johann David Wadephul: Në dijeninë time sipas fakteve të paraqitura dhe ligjislacionit, Ministri i Brendshëm është në këtë rast në konflikt interesi. Për kredibilitetin e vet ndaj popullit shqiptar si dhe ndaj partnerëve të tij evropian, Ministri i Brendshëm, i cili është përgjegjës për krijimin e rendit dhe ligjit, duhet të jetë i interesuar për një sqarim të plotë të çështjes. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse ai mbetet në detyrë si person i përfshirë. Kështu që ne ende kemi dyshime të konsiderueshme nëse ekziston vullneti politik për të praktikuar standardet ligjore të BE. Kjo nuk është një pyetje që mund të marrë përgjigje vetëm gjatë negociatave të pranimit, por duhet të kemi besim të qartë në gatishmërinë për veprimin e sundimit të ligjit para se të fillojmë negociatat e pranimit. Por për sa kohë që këto dyshime nuk janë larguar bindshëm përmes sundimit të ligjit në mënyrë konsekuente, ne nuk mund ti hapim kapitujt e parë te bisedimeve, te cilat janë pikërisht kapitujt e shtetit ligjor 23 dhe 24.

Desada Metaj: Shqiptarët janë të dëshiruar për të qenë sa më shpejt pjesë integrale e BE. Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në qeverisjen e këtueshme që ne ta meritojme anëtarësimin në familjen europiane?

Johann David Wadephul: Siç e thashë, ne duam që Shqipëria të fillojë negociatat konkrete të pranimit sa më shpejt që të jetë e mundur. Veçanërisht edhe sepse shqiptarët janë aq të orientuar drejt Evropës. Ne jemi gjithashtu të lumtur për miqësinë e fortë me Gjermaninë. Por jo për këtë arsye duhet t’i injorojmë problemet. Në fillim i përmenda pikat tona që duhet të përmbushen para se të fillojnë negociatat konkrete per secilin kapitull. Këto nuk janë pengesa shumë të mëdha nëse ekziston vullneti politik për të larguar vazhdimisht korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për të respektuar dhe zbatuar ligjin dhe rendin. Dhe qeveria shqiptare këtë nuk duhet ta bëjë për BE ose Bundestagun Gjerman, por për njerëzit e saj. Sepse ata e presin këtë gjë.

**Numri dy i partisë së Kancelares Merkel në CDU/CSU, Dr. Johann David Wadephul, zv. Kryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU ne Bundestag, përgjegjës për politikën e jashtme, të sigurise dhe Keshillin e Europes, dhe Kreu i Grupit të Punes per Ballkanin Perendimor.

CV e plotë e zyrtarit të lartë gjerman
18-03-05 Lebenslauf englisch-aktualisiert

Intervista ne email per gazetaren Metaj