Ikja e të rinjve, Rama: Europa po vështirësohet! Qiraja, energjia… Këtu mund të fitoni dyfish..

220
0

Kryeministri Edi Rama thotë se shqiptarët duhet të mendojnë ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, pasi Europa, sipas tij po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Rama tha gjatë fjalës së tij në një takim me qytetart në Klos, se rritja e çmimit të energjisë elektrike në vendet e BE-së, do t’i bëjë shqiptarët të mendojnë ndryshe.

Ai tha se me një shtëpi të vjetër në fshat, që dikush mund ta shndërrojë në agroturizëm apo bujtinë, shqiptarët mund të fitojnë edhe dyfishin e asaj që fitojnë në BE.

“Kjo është e ardhmja, ne mbeshtesim konkretisht, se këta flasin fshati-fshati dhe s’dinë fare. Unë e di shumë mirë që të rinjtë të kenë ambicie për aventura, por ju them Europa bëhet gjithmonë e më e vështirë. Shqipëria nuk është e lehtë. Por i bien shkurt njerëzit, pagat-pagat, po por aty është çdo hap xhep, se është shtëpia, energjia. Dhe me shtrenjtimin e energjisë, njerëzit do të thonë po sikur të provoj ndryshe?

Dhe këtu prodhimi i energjisë nuk është i vështirë, kush ka një shtëpi gjyshi, sado të rrënuar, mund të hapë një biznes dhe të fitojë dyfishin e asaj që fiton aty. Me mbështetjen e qeverisë dhe AZHBR-së dhe të ecësh përpara. Kur thosha unë që Belshi do bëhet zonë turistike, qeshnin ata. Sot Belshi, jeton me Turizëm, Ulëza, Bulqiza, të gjithë këtë zonë e ka bërë zoti për turizëm. Duhet me e vënë në dispozicion”, u shpreh Rama.