Ikja e Donald Lu, ambasadorit që foli Shqip dhe tronditi politikën shqiptare me “Peshkun e madh”

756
0

Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu është në mbyllje të mandatit dhe shumë shpejt do të fluturojë me avion drejt vendit të tij. Ai hyri në zemrat e shqiptarëve, duke folur shqip, duke i treguar Ballkanit, Evropës dhe më gjerë, se Shqipëria meriton respekt për traditën, gjuhën e kulturën.

Ai do të mbahet mend si diplomati i Reformës në Drejtësi. Po ashtu dhe për batutat pikante, si: “Peshku i madh”, “Gjyqtari i korruptuar mund të gjykohet nga ora apo makina luksoze që ka”.

Po ashtu ai do mbahet mend si diplomati që foli me emra dhe mbiemra mafiozësh, duke i vënë përpara përgjegjësive autoritetet shqiptare. Donald Lu, do mbahet mend si ambasadori që nuk lejojë një kryeprokuror shqiptarë të prek tokën amerikane për shkak të dyshimeve si i përfshirë në korrupsion. Ambasadori Donald Lu do mbahet mend si një diplomat pa dorashka, që mbështeti Kryeministrin Rama në udhën e tij politike, në momentet më të vështira qeverisëse, duke iu “larguar” shpesh dhe zhargonit diplomatik me qëllim realizimin e reformës në drejtësi, por që tashmë është kthyer në një makth për Ramën me togfjalëshin “Peshku i madh”…

Fjalët të cilat duket se po sjellin gjithnjë e më shumë përplasje politike në vendin tonë, duke prishur ekuilibrat e një estabilishmenti të krijuar prej vitesh që nuk i jepte hapësirë rrymave të reja të infiltrohen, teksa tashmë shohin shpresë. Lufta sapo ka nisur dhe ambasadori amerikan, që solli në shqip zërin e vendit më të fuqishëm në botë do i lë vendin pasardhësit të tij, që do të gjejë një vullkan të ndezur, llava e të cilës pritet të derdhet furishëm dhe që nuk dihet se cilat do të jenë pasojat për popullin dhe peshqit e mëdhenj.