Ikim si “zotni”: Ja mënyrat a reja e te rinjve shqiptarë për t’u punësuar jashtë shtetit dhe pasojat ..

1218
0

Mënyra të reja emigrimi por pasoja të mëdha që të rinjte po lënë pas..

Forca e aftë e punës ka qenë një problem i hershëm që ka shoqëruar sipërmarrjet shqiptare por, së fundmi, bizneset e sektorit call center, shërbimeve teknologjike dhe teknologjisë së informacionit kanë nisur të ndiejnë mungesën e interesit për të punësuar edhe operatorë të thjeshtë. Lorenc Goga, administrator i Facile.it, që ofron shërbime në web marketing pohon se, në momente të caktuara, gjetja e disa profesioneve specifike ka qenë shumë e vështirë, jo vetëm për IT, por edhe për ekonomistë të profilit, menaxherë etj.

Goga tha se, Shqipëria është një vend mjaft interesant për eksportin e shërbimeve, për shkak të aftësive që të rinjtë kanë në zotërimin e gjuhëve të huaja, por sistemi arsimor dhe emigracioni i vazhdueshëm po krijojnë probleme për të plotësuar nevojat që ka tregu i punës. Përgjithësisht, shkollat tona kanë “prodhuar” një forcë pune ku dominojnë profilet me formim shoqëror si shkencat sociale, ligjet, teksa e ardhmja është nga teknologjia dhe profesionet e lidhura me të.

Në Shqipëri, edhe ata që studiojnë në teknologjinë e informacionit, nuk marrin njohuritë e mjaftueshme për standardet e shërbimeve të TIK që kërkojnë kompanitë e huaja. Goga thotë se kanë në plan të zgjerohet, duke ofruar disa shërbime TIK që kërkojnë aftësi më të larta, por gjetja e punonjësve e ka bërë të vështirë zgjerimin. Goga thotë se për disa shërbime janë duke kërkuar punonjës IT nga jashtë, edhe pse kjo mënyrë ka kosto të larta.

Nga ana tjetër, të rinjtë IT po joshen të ikin nga vendi për shkak të mundësive të mira të punësimit kundrejt pagesave më të larta.

“Aplikimin e kam bërë nga shpia në rrjetin social profesional, LinkedIn, si dhe disa aplikime të tjera që kam bërë më parë nëpërmjet disa faqesh punësimi ndërkombëtare”, tha Sabri Nuzi,

i cili sapo ka përfunduar studimet e larta në Shqipëri për shkenca kompjuterike dhe tashmë ka siguruar një kontratë pune në Austri.

Ai tha se ka shumë arsye që e kanë bërë të largohet nga vendi, por kryesore janë ekonomia me tendencë rënie (që ndikon drejtpërdrejt investimin në fushën tonë të teknologjisë), arsimi dhe mjekësia në nivele të ulëta, si dhe mentaliteti për të parazituar tek politika etj.
Ai tha se shumica e shokëve të tij në Shqipëri duan të largohen nga vendi dhe po bëjnë përpjekje që t’ia arrijnë, ndërsa nuk ka ndër mend të rikthehet nëse gjërat nuk ndryshojnë për më mirë.

Kompania I.N.C.A. Nord Fish, që ushtron aktivitetin në Lezhë, në përpunimin e peshkut, i ka shpëtuar për pak falimentit, kur rreth 60% e fuqisë punëtore emigroi në vitin 2015. Alban Zusi, administrator i saj, thotë se sot e kësaj dite ende po ndihen pasojat e ikjes masive të punonjësve.

Prodhimi nën kapacitete vuri në rrezik zbatimin e kontratave në fuqi me partnerët e huaj. Dy kontrata të reja që ishin duke u negociuar, dështuan. “M’u desh një kohë shumë e gjatë që të rikuperoj fuqinë punëtore dhe humbjet e krijuara”, pohon Zusi. Të larguarit ishin punonjës të kualifikuar, kishin vite që punonin dhe disa prej tyre ishin edhe në pozicione drejtuese.

Ikja e tyre ka lënë një hendek të madh në burimet e kualifikuara të fabrikës, të cilat vështirë të rikuperohen edhe për disa muaj”. Vala e emigracionit në vitin 2015 duket të ketë qenë fatale më shumë për bizneset në rrethe. Flamur Hoxha, një biznesmen me përvojë në sektorin e fasonit, tha se, bizneset e kësaj linje në rrethe po përjetojnë mjaft vështirësi nga largimi i fuqisë punëtore jashtë vendit, sidomos vitin e shkuar. Ndryshe nga Tirana, ku ka përqendrim të madh të popullsisë dhe emigracioni i 2015-s nuk ka lënë shumë pasoja, në rrethe situata ka qenë fatale. Bizneset fasone në qytetin e Lezhës, Shkodrës, Beratit e Korçës janë vënë seriozisht në vështirësi për ekzistencë.