Ideja e çmendur e Bankës Qendrore, 200 euro në muaj për çdo qytetar…

9796
0

“Helicopter Money”, quhet propozimi i fundit për dhurimin e 200 eurove në muaj për çdo qytetar të Eurozonës.

Kjo është një nga ata idetë që po krijon debat në rritje për adoptimin, në një të ardhme të afërt, të një politike te quajtur “Helicopter Money (para helikopter)”.

Bëhet fjalë për një propozim real dhe jo një teori konspirative. Ideja është rimarrë sëfundmi nga  Ben Bernanke, ish guvernator i Federal Reserve që ka rikthyer konceptin e ideuar nga Milton Friedman, që konsiderohet edhe si babai i teorisë monetare dhe që ka marrë edhe çmimin Nobel për Ekonominë.

Ky i fundit gjatë viteve ’60 shkruante: “Të supozojmë se një ditë një helikopter do të fluturonte sipër këtij komuniteti dhe do të hidhte 1 mijë dollarë nga qielli. Sigurisht ato do të mblidheshin me shpejtësi nga qytetarët”.

Sipas tij, një lëvizje e tillë do të kishte “automatikisht” një impakt në inflacion, duke e rritur atë. Rritja e inflacionit është një nga sfidat me të cilat po përballet BQE prej 10 vitesh. Qellimii është arritja e një niveli 2 % të inflacionit por mesatarja e arritur është 1.2 %. Dhe perspektiva e 10 viteve të ardhshme për 19 vendet e zonës euro mbetet e njëjtë, pra inflacion 1.2 %.

Aspekti “interesant” është që investitorët duket se tashmë nuk besojnë më në mundësinë që politikat e fundit zgjeruese të BQE-së janë në gjendje që të sjellin rritjen e çmimeve në nivelet e kërkuara.

Nuk përfundon këtu! Investitorët jo vetëm nuk besojnë te rritja e inflacionit por te e kundërta; te deflacioni. Arsyeja për të cilët BQE (por edhe bankat e tjera qendrore të mëdha) has vështirësi për të ringritur inflacionin i ka rrënjët edhe më të thella. Gjithçka ka nisur në vitet ’80 kohë kur “gërshëra” e barazisë mes të pasurve dhe të varfërve ka nisur të zgjerohet.

Si fillim ka nisur me ritme të ngadalta por pas rënies së Murit të Berlinit dhe globalizimit, ritmet u përshpejtuan. Raporti mes të ardhurave të disponueshme të 10 % më të pasur të popullsisë dhe 10 % më të varfër, është rritur me 7 herë nga 1980 dhe me 9 herë në 2015. Përfitimet e rritjes ekonomike përfundojnë në xhepin e një fashe gjithnjë e më të ngushtë të popullsisë, evidentohet në studimin “Income Inequality” (Pabarazia e të ardhurave).

Mes 1975 dhe 2012, në SHBA reth 47 % e të ardhurave të gjeneruara nga rritja ekonomike ka shkuar për të fryrë portofolet e vetëm 1 % më të pasurve të popullsisë; një fenomen veçanërisht i reflektuar edhe në Kanada, Australi dhe Britani të Madhe.

Si rrjedhojë, shtresa e mesme gjendet gjithnjë e më shumë nën presion.

Arsyet e kësaj shpërndarje asimetrike të pasurisë janë shumë. Është mbi të gjitha impakti i globalizimit që ka revolucionarizuar plotësisht flukset tregtare por edhe inovacionin teknologjik, që po krijon profesione të reja me vlerë të shtuar shumë të lartë duke i bërë shumë të tjera të panevojshme, me pasoja të ndjeshme te pagat dhe punësimi.

Por rritjes së pabarazive ka kontribuar në krijimin e një tregu pune gjithnjë e më shumë të “financiarizuar” me përdorimin e gjerë të planeve të “stock options” (aksione që u jepen falas punonjësve, zakonisht manaxherëve të kompanive) dhe të bonuseve për drejtuesit, sëbashku me rënien e rregulloreve dhe të rolit të sindikatave. “Gërshëra” mes të pasurve dhe të varfërve është zgjeruar akoma më shumë pas krizës së vitit 2008 dhe tashmë po merr një impulsi të ri të fuqishëm nga politika monetare jo e zakonshme e bankave qendrore.