Ia hodhën në erë me eksploziv, shpërthimi i dytë për makinën e mësueses nga Patosi

483
0

Për të dytën herë, në orët e para të mëngjesit të së hënës, një mësueseje nga Patosi, i hodhën në erë makinën, pesë muaj pasi i dogjën një automjet tjetër.

Bëhet fjalë për automjetin e Eriselda Agalliut, makina e së cilës tip “Nissan” u dogj në lagjen “1 Maj” të Patosit, nga shpërthimi i eksplozivit.

Agalliu është mësuese e anglishtes në shkollën “Zhani Ciko”, kur befas ka dëgjuar shpërthimin e mjetit, teksa ndodhej në gjumë, bashkë me fëmijën e saj të mitur.

Në dëshminë e dhënë në polici Agalliu ka thënë se nuk ka konflikte as ajo dhe as i shoqi, i cili prej disa kohësh ndodhet në Amerikë.

Po ashtu ajo ka thënë se kalon mirë me të gjithë dhe nuk di të thotë ndonjë emër, ku mund të ketë dyshime.

Por policia dyshon se ngjarja mund të ketë ardhur edhe prej profesionit të Agalliut, për shkak të ndonjë konflikti me ndonjë nxënës.

Sakaq bashkëshorti i saj gjithashtu mësues, prej disa muajsh ndodhet në Amerikë, ku po kryen procedurat për të tërhequr të shoqen dhe djalin e tyre.

Ndërkohë rreth pesë muaj më parë, Eriselda Agalliut i është djegur edhe një makinë tip “Lancia”, por asokohe u cilësua si ngjarje aksidentale, për shkak të një shkëndije elektrike.