I shkoi në shtëpi dhe e qëlloi/ Vellai vret vellain per pronat, me pas vetevritet

492
0

Konflikti për pronat dyshohet se ka qenë zanafilla e konfliktit mes dy vëllezërve Cami nga Bulqiza, që çoi në vdekjen e të dyve mëngjesin e të enjtes (4 Janar 2024) në kryeqytet.

Krimi në familje ndodhi në banesën e Lulëzim Camit 69 vjeç, në zonën e Freskut në Tiranë rreth orës 07:40.

Gazetari i Klan News Besar Bajraktari ka mësuar se autori, Vehap Cami 63 vjeç, jetonte në zonën e Lundrës.

Një ditë më parë ai kishte ditëlindjen, ndërsa mëngjesin e sotëm shkoi në banesën e të vëllait, Lulëzimit, në Fresk. U fut brenda, u ul të pinte kafe me vëllanë në katin e parë të banesës.

Kafja ju shërbye nga nusja e djalit të Lulëzimit që jetojnë në katin e dytë të banesës private të marrë me qira. Në momentin që kanë qenë vetëm, mes dy vëllezërve pati një debat verbal.

Më pas e qëlloi me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend. Pasi i mori jetën vëllait, Vehap Cami vrau edhe veten.

Në momentin e krimit në shtëpi kanë qenë të pranishëm edhe familjarët e Lulëzim Camit, të cilët fatmirësisht nuk pësuan asnjë lëndim.

Grupi hetimor dyshon se përplasja mes vëllezërve ka qenë e hershme për shkak të pronave. Për këtë arsye po pyeten edhe familjarë të tyre për të dhënë më shumë informacione që ndihmojnë hetimin.