I riu shqiptar i dëshpëruar: Dua të iki sa më parë nga Shqipëria

709
0

Për shumë vite me radhë, mosha e re e popullsisë është konsideruar nga ekonomistët si shpresa më e madhe e Shqipërisë drejt zhvillimit të shpejtë ekonomik.

Por, kjo shpresë po shuhet! “Dua të iki sa më parë. E kam menduar të iki në Gjermani”, tha një i ri shqiptar.

Sipas një vrojtim të “Gallup”, 79 për qind e të rinjve shqiptarë nga 15-29 vjeç duan të largohen përgjithmonë nga Shqipëria. Kjo është norma më e lartë në botë, me diferencë të theksuar nga të gjitha vendet e tjera, përfshirë ato në konflikte të armatosura.

Ndër vendet e rajonit, shifra e dytë më e madhe vihet re në Bosnje-Hercegovinë, me 62 për qind, e më pas Maqedonia me 51 për qind, ndërkohë që për Serbinë dhe Malin e Zi, pjesa e të rinjve që duan të largohen është më e ulët se 50 për qind.

Por, pse të rinjtë shqiptarë duan ta braktisin vendin e tyre? “Sepse nuk ka punë, sepse është shumë e vështirë jetesa”, thotë një tjetër i ri, njofton Top Channel.

Por, më shumë sesa mungesa e punës, të rinjtë i largon humbja e shpresës.

Mes të rinjve ka dhe nga ata që e shohin të ardhmen në Shqipëri. Por kjo është pakica. “Sepse po ikëm ne, kush do të qëndrojë këtu?”, tha një i ri.

Largimi i të rinjve po shndërrohet në një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë, një fenomen që ka pasoja të mëdha negative për të ardhmen e ekonomisë, financave publike, por edhe në rrafshin social.