I ndërprenë ndihmën ekonomike, familja ha bukë dhe qepë. Rama: Nuk shpenzojmë paratë e taksave për parazitët

832
0

Mjerimi është ulur këmbëkryq në familjen Vrioni në Vorë, pas ndërprerjes së ndihmës ekonomike. “Fiks Fare” sjell pamjet e dy motrave, 4 dhe 10 vjeç, që ushqehen me bukë thatë, pasi nuk kanë asgjë tjetër për drekë.

Realiteti “Migjenian” vjen në ditët e sotme më i trishtë se kurrë. Familjes me 4 anëtarë, prej muajit janar i është ndërprerë ndihma ekonomike, të cilën e merrte prej 4 vitesh. Ndërsa prej 6 muajsh jetojnë në mungesë të energjisë elektrike, pasi nuk arrijnë dot ta paguajnë.

“Me 4.800 lekë arrija të merrja ndonjë kile qumësht për vajzat. Me to i ushqeja. Nuk e hanin bukën thatë. Por në janar ma ndërprenë, më thanë se nuk i plotësoj pikët. Unë nuk e di çfarë pikësh kërkojnë”, shprehet Sabri Vrioni.

Në tavolinë ka vetëm bukë dhe qepë të njoma. Iljana, vajza 10-vjeçare tregon se këto janë ushqimet më të shpeshta që gjen në tavolinë.

“Nuk kam blerë asnjëherë rroba të reja. M’i falin fëmijët e tezeve. Unë kam dëshirë të blej një kostum sportiv për në shkollë. Tuta, bluzë, atlete të reja”, shprehet 10-vjeçarja.

Gazetarët e “Fiks Fare” u interesuan edhe pranë Bashkisë së Vorës.

Inspektorët e ndihmës ekonomike shprehen se e njohin mirë gjendjen e vështirë të familjes Vrioni, por dalja e saj nga skema ka ardhur si pasojë e mosplotësimit të pikëve.

“Sabri Vrioni nuk ka marrë pikët e mjaftueshme. Është në gjendje shumë të vështirë, është skandal. Deri dje i ka pas plotësuar pikët, sot nuk i plotësoi. As vet nuk i dimë këto pikët. Ato i di Ministria, Drejtoria, ato i heqin. Kemi pasur 333 familje që merrnin ndihmë ekonomike, sot janë 150 më pak”, pohon inspektori.

Kryeministri Edi Rama pranoi se skema e ndihmës ekonomike ka pasur marzhin e gabimit duke nxjerrë nga skema familje të varfëra por shumë raste që janë hequr kanë qenë ata që e fitonin në mënyrë të padrejtë këtë ndihmë.

“Skema ka marzhin e vet të gabimit dhe ka raste që kanë dalë nën nivelin ku skema mbyllet. Kjo është arsyeja që i kemi dhënë bashkive 6 % të fondit shtesë dhe po bëjmë proces rivlerësimi që të mos lëmë askënd pa rivlerësuar. Por është e padiskutueshme që 70 % e atyre që kanë dalë nga skema janë 24- 45 vjeç në formë perfekte për punë”, u shpreh Rama.

Më tej kreu i qeverisë u ndal edhe tek ngjarja e mbrëmshme në Berat kur sapo doli nga mbledhja e qeverisë në qytetin muze të Beratit u përball me qytetarët e hequr nga skema e përkrahjes sociale. Ai tha se do të vlerësohet çdo rast por la të kuptojë se protesta e djeshme ishte e organizuar dhe ata që nuk duan të punojnë le të marrin rrugët e protestave.

“Do të vlerësojmë çdo rast ku ndihma ekonomike është domosdoshmëri për të adresuar varfërinë e thellë të çdo familje. Nëna kryefamiljare me fëmijë janë prioritet. Burrat që duan ndihmë ekonomike le të shkojnë të marrin rrugët e protestave dhe të paguhen nga organizatorët e protesta.

Ne ndihmë ekonomike për ta nuk kemi. Le ti grahin protestave se kjo histori duhet të marrë fund një herë e mirë. 300 mijë lekë janë shumë më tepër se 50 mijë lekë që është ndihma ekonomike mesatare. Për parazitët nuk kemi mundësi të shpenzojmë paratë e marra nga taksat”, shtoi Rama.