Hyri për të vjedhur paratë, hajduti largohet vetëm me paketa dhe fletoren e borxheve

140
0

Një 56-vjeçar, banues në fshatin Drizë në qytetin e Kuçovës, është kapur gjatë natës së djeshme nga shërbimet e policisë së Komisariatit të Policisë Kuçovë, në përpjekje për të vjedhur në një dyqan.

Ngjarja ka ndodhur në një dyqan në lagjen “11 Janari”, ku 56-vjeçari Xhezmi Liko, pasi ka hapur derën e jashtme, ka hyrë brenda dhe është përpjekur të hapë me forcë sirtarin e kasës ku mbaheshin lekët e xhiros së dyqanit.

Zhurma e bërë brenda në dyqan është ndjerë nga pronarët, të cilët kanë njoftuar policinë.

Kjo e fundit ka organizuar punën dhe ka shkuar në vendngjarje, ku ka arrestuar në flagrancë 56-vjeçarin Xhezmi Liko.

Hajduti, në pamundësi për të shqyer sirtarin e kasës së lekëve kishte vjedhur disa steka paketash si dhe fletoren e borxheve (veresijeve) të dyqanit.

Në videon e kamerave të sigurisë duket qartë sesi “skifteri” kuçovar hyn në biznes për të kryer vjedhjen.

Tentoi të vidhte para, në një dyqan, si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 55-vjeçari.

Mbrëmjen e djeshme, sapo janë njoftuar se një shtetas kishte hyrë në një dyqan në lagjen “11 Janari”, për të vjedhur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kapjen e këtij shtetasi.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bënë identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit Xh. L., 55 vjeç, banues në Kuçovë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.