Histori suksesi, Sonila, nga Lushnja në Manhattan: “ Me pasion dhe këmbëngulje arrin gjithçka”

2188
0

Nga Enkeleda Bodini

Historitë e suksesit të femrave shqiptare, janë të pafundme. Sukseset e tyre numërohen brenda dhe jashtë vendit. Kësaj here sjellim historinë e një parukiere, Sonila Bello Pulaha, e cila ka ndërtuar jetën e saj përtej oqeanit, në Amerikë. Ajo vjen me një rrëfim , duke treguar për jetën dhe biznesin e saj në Manhattan të New York-ut!

Sonila Pulaha është një 31 vjeçare nga qyteti i vogël i Lushnjes, ku të gjithë njohin të gjithë. Në Lushnje, Sonila ka kaluar një fëmijëri të qetë dhe arsimin parauniversitar e ka kryer po aty. Më pas ka përfunduar Universitetin për gjuhë angleze, gjë që i ka shërbyer shumë për t’u ambientuar në Amerikë.

Prindërit e saj gjithmonë ishin përpjekur që Sonilës të mos i mungonte asgjë. Por qyteti i saj nuk mjaftonte, vajzës plot ëndrra.

Ajo u largua nga Shqipëria në vitin 2008, menjëherë sapo i erdhi një mundësi për të emigruar. Largimi jashtë vendit e vetme nuk ka qenë një vendim i lehtë për të, sepse ishte shumë e lidhur me familjen.

“Ikja larg prindërve më ka prekur shumë”, tregon Sonila

Si çdo shqiptarë që emigron në një vend të huaj, edhe Sonila nuk e ka patur të lehtë fillimin. Ajo ka mbërritur e vetme në Amerikë dhe mbështetja e vetme që kishte ishte një kushëriri dhe bashkëshorja e tij, Llazar e Amarilda Bello. Përkrahja e tyre ka qenë një start për ndryshimin e jetës së saj. Sonila ka jetuar si fillim në New Jersey për rreth 6 muaj, ku ka punuar si kameriere në një restorant.

Gjatë periudhës në New Jersey, ajo u njoh me një djalë shqiptar që tashmë është bashkëshorti i saj dhe janë prindër të dy fëmijëve.

Ata të dy u zhvendosën në New York dhe Sonila nisi studimet në shkollën e parukerisë në Manhattan, Empire Beauty School. Shkolla që ka bërë Sonila kishte një sistem kursesh që e kanë ndihmuar dhe vazhdojnë ta ndihmojnë për t’u perfeksionuar në profesion. Ndërkohë që ishte në shkollë, ajo punonte edhe si shitëse në një dyqan këpucësh.

Pas përfundimit të studimeve, ajo fillimisht ka punuar si asistente parukiere në Alma G Salon dhe më pas ka marrë një hapësirë me qira në një nga kompanitë më të mëdha të parukerisë në Amerikë, Salons By JC, për dy vjet.

Salons By JC është i përbërë nga 45 dhoma dhe gjithsecili ka biznesin e tij të fushës së parukerisë si për shembull parukeri, makeup, spa etj.

Sonila tashmë prej një viti e gjysmë është pronare e një nga dhomat e këtij biznesi gjigand në Amerikë.

Janë bërë gati 10 vjet që Sonila është në Amerikë dhe të kesh një biznes në New York për një femër është arritje e madhe. Parukeria është ajo çfarë Sonila ka dashur gjithmonë dhe Sonila Beauty Box është salloni ku ajo jep gjithçka nga talenti dhe dashuria për të bukurën.

Ajo shprehet :“Zgjodha parukerinë, sepse më pëlqen sfida, më pëlqejnë transformimet e flokut dhe kjo punë më jep kënaqësi të madhe”.

Sonila Beauty Box është një parukeri e vlerësuar me 5 yje nga “Google” duke iu referuar vlerësimeve që klientët e saj kanë bërë në website-n e parukerisë. Shërbimi i Sonila Beauty Box është i lartë dhe cilësor ku ofrohen paketa shërbimesh që përfshijnë extations, prerje dhe lyerje floku, keratin etj.

Pjesë e shërbimit të saj është edhe kujdesi që tregon ndaj klientit. Ajo tregon se kushdo që ulet në karrigen e saj për herë të parë ngelet i/e kënaqur dhe i/e befasuar me punën dhe kualitetin që ajo ofron.

“ Mbajtja e mysafirëve dhe klientëve të lumtur është shumë e rëndësishme për mua, dhe kjo është aprovuar nga suksesi dhe të ardhurat e mia”, shprehet Sonila.

Asaj i pëlqen shumë të mbajë një marrëdhënie të afërt me klientët sepse në këtë mënyrë arrin të mbajë gjallë kujtimet e fëmijërisë. Në Lushnje, Sonila kishte marrëdhënie shumë të afërta me moshatarët e saj dhe gjithë njerëzit e tjerë. Dhe nuk ka ndryshuar as në NY. Është po aq e mirë dhe e dashur, sa dikur.

Parukeria mund të duket një profesion i thjeshtë, por arti i saj nuk është edhe aq i thjeshtë. Sonila ka provuar se di ta bëjë më së miri këtë punë. Klientët e saj janë femra dhe meshkuj, kryesisht amerikanë . Dhe vipat nuk ka sesi të mungojnë, aq e zonja sa është ajo.

Sonila Beauty Box ka arritur të sigurojë si kliente edhe blogere të njohura si për shembull Marissa Casey, Anna Kloots apo Stephanie e Bella Bombshel.

Klientët shqiptarë janë të rrallë rrëfen Sonila, sepse jetesa në Manhattan është e shtrenjtë , por ata që ajo ka, ju shërben prej shumë kohësh dhe me çmime të arsyeshme.

Sonila është shumë e kënaqur me jetën atje sepse tashmë ajo ka atë që gjithmonë ka dashur, familjen, parukerinë dhe lumturinë. Biznesi i saj i siguron të ardhura të mira, sepse sikur Sonila tregon Manhattan është zonë e populluar biznesesh.

Ajo ka ardhur disa herë në Shqipëri bashkë me fëmijët për të takuar prindërit e saj, por kthimin në atdhe nuk e ka menduar asnjëherë.

“Jeta në Amerikë është shumë e rrëmbyer dhe asnjëherë nuk kam pasur kohë apo mundësi të analizoj nëse kam dëshirë të kthehem. Për momentin mund të përgjigjem vetëm, nuk e di, por asnjëherë nuk i dihet sepse jeta është e papritur”, thotë Sonila

Arritja e qëllimeve dhe realizimi i ëndrrave është dëshira e gjithsecilit prej nesh. Këto mund të arrihen vetëm me punë dhe vullnet. Ashtu sikurse thotë Sonila “ Me pasion dhe këmbëngulje njeriu arrin gjithçka që do dhe ëndërron”./ dritare.net