Histori shqiptarësh/ Si ja dola të ngrihesha në këmbë, kur jeta më përplasi fort, shumë fort

608
0

“Nga t’ja nis edhë unë udhëtimit tim që nuk e di ku do të përfundojë për të më rënë shpirti në qetësi. Unë kam shumë diferencë në moshë krahasuar me pjestarët e familjes time, pasi ata u rritën në kohën e diktaturës ndërsa unë në demokraci.

Morën rrugët e emirgimit dhe mbaj mend disa momente si një film bardh e zi, nga takimet mes nesh e deri në shfaqjen e tyre në dasmën time.

Isha vajzë që mbyllesha në dhomë dhe lexoja. Në trurin tim thurja ëndrra për një të ardhme larg Shqipërisë, por ishte e shkruar të ndodhte një fejesë me shkuesi tamam në kohën kur po përgatitesha të vazhdoja universitetin. Si të më kishin bërë magji unë pranova pa ditur asgjë për atë njeri. Unë 18 e ai 21 vjeç!

Për 2 muaj u bë martesa dhe nga një vajzë shkolle u ktheva në një nuse që mbante 6 pjestarët e familjes së burrit në këmbë. E bëja duke menduar se janë edhe familja ime, dhe pse mua nuk më deshën kurrë… Më trajtonin si të isha një skllave.

Të gjitha pyetjet në mendjen time morën shumë shpejt përgjigje kur mora vesh se  burri im kishte qenë për 2 vite i fejuar dhe ajo ishte komshia ngjitur me shtëpinë në të cilën unë kisha hyrë nuse. Kështu filloi gjithçka, grindje, sherre , mosbesim. Fatmirësisht (sepse nuk pendohem kurrë ) në atë kohë zbulova se isha shtatzënë dhe kjo më bëri të mendoja se gjërat do të ndryshonin, por ai filloi komunikimin me të, qetësisht, hapur, përpara syve të mi.

M’u desh të braktisja shtëpinë me një djalë 3 muajsh në krahë, nuk mora asgjë me vete, vetëm djalin tim në krahë në një ditë shiu. Mora një taksi dhe shkova tek prindërit e mi. Edhe pse njerëzit e burrit u munduan të ma hidhnin fajin mua për çdo gjë, nuk ja dolën dot. Unë e kisha ndarë mendjen dhe kërkoja të ndahesha.

U divorcuam, qëndrova pak kohë tek prindërit e mi që megjithëse të dy pensionistë kanë qenë mbështetja ime më e madhe. Pavarësisht mbështetjes që më ofronin nuk mund të rrija me ta përgjithmonë. U largova nga Shqipëria kur djalin e kisha vetëm 3 vjeç, nëse do t’i tregoj vuajtjet që kam kaluar do të jetë vështirë t’i besojë njeri. Por sot jam krenare, jam krenare sepse gjeta forcë për të bërë ndryshimin që doja në jetën time, sepse sot djali im është 13- vjeç dhe në rrugë të mbarë.

Jam krenare sepse unë nga një fëmijë që i ranë përgjegjësitë e rënda të jetës mbi supe sot jam shndërruar në një femër me karakter të fortë. Arrita që pas 4 vitesh në dyert e gjykatave të bëhem shtetase e ligjshme në vendin ku jetoj dhe ata që e kanë provuar emigracionin e dinë se ç’do të thotë të jetosh me frikë në një vend të huaj. Të mos kesh mundësi punësimi dhe të druhesh se një ditë mund të të ndajnë nga fëmija dhe të të kthenë andej nga ke ardhur.

Jam krenare që të gjitha këto vështirësi, këto vorbulla të jetës nuk më kanë mbytur…Unë mbahem fort. Sigurisht ka raste kur ndihem aq e lodhur sa që më vjen ta lëshoj litarin ku jam kapur me thonj, por kthej kokën nga djali im dhe marr forcë. Kanë kaluar 10 vite nga divorci, tani jemi vetëm unë dhe im bir. Luftoj çdo ditë për një të ardhme akoma më të mirë për të, sepse nuk dua që ai të kalojë nëpër të njejtat vorbulla që kalova edhe unë. Nuk dua të ndjejë atë që kam ndjerë unë…

Jam krenare që ja dola të jem e pavarur dhe jam krenare që ditë pas dite përpiqem që të bëhem njeri më i mirë. Jeta është e egër dhe unë do të qëndroj gjithmonë e fortë, sepse tashmë e di se sa herë të rrëzohem duhet të kem fuqi për t’u ngritur e për t’ja nisur gjithçkaje nga e para.

Tani besoj se çdo gjë ndodh për një arsye, që pas stuhisë ka gjithmonë diell, që ajo që vjen do të jetë gjithmonë më e mirë se ajo që iku…”/anabelmeagazine/