Hiqni Euron nga duart sa më parë..

964
0

Monedha Euro po kalon ditët më të errëta në Shqipëri dhe sot ka prekur pikën më të ulët në 10 vitet e fundit.
Monedha e përbashkët europiane sipas valutës sot në Shqipëri këmbehet me 128.81 lekë, 0.2 lekë më pak se ditën e djeshme.

Rënia e euros në tregun e brendshëm është ndihmuar dhe nga dobësia e saj në tregjet ndërkombëtare. Në bursa, një euro u këmbye sot me 1,2 dollarë, që është niveli më i ulët që nga mesi i muajit janar, si rrjedhojë e deklaratave të kreut të Bankës Qendrore Europian, Mario Draghi, që nënvizoi se rritja e eurozonës është e qëndrueshme, por megjithatë i mbajti normat e interesit të pandryshuara.

Pavarësisht ndikimit nga bursat ndërkombëtare, në trendin afatgjatë, euro ka qenë e dobët në tregun e brendshëm. Në krahasim me një vit më parë, euro ka rënë me 6,4 lekë, ose 4,7% (në 27 prill 2017 një euro u këmbye me 135,24 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që në bursa për të njëjtën periudhë monedha e përbashkët është mbiçmuar me 11% në raport me dollarin.

Arsyet, sipas aktorëve të tregut lidhen me ofertën e lartë të euros në tregun e brendshëm dhe kërkesën relativisht të dobët për lekë. Arsyet janë të njohura tashmë, si burimet informale, që po kanalizohen në tregun e pasurive të paluajtshme, hyrjet nga parapagimet nga turizmi, konvertimet e bizneseve që kanë të ardhura në valutë në datat e pagimit të taksave, politika e deuroizimit të Bankës së Shqipërisë që po nxit daljen e valutës nga bankat, duke rritur ofertën në treg të lirë etj, ka shpjeguar Monitor.

Megjithatë nuk ka asnjë “dritë jeshile” për Euron, sepse sipas ekspertëve të tregut monedha europiane do vijojë të jetë e dobët në tregun brendshëm edhe përgjatë sezonit të verës.