Greqia miraton ligjin e ri për azilantët

691
0

Parlamenti grek miratoi sot një ligj të ri për azilkërkuesit me synimin për të kontrolluar numrin e migrantëve që hyjnë në vend.

Ligji synon përshpejtojë procedurat e nevojshme për kthimin në atdhe të azilkërkuesve që nuk i plotësojnë kërkesat për t’u dhënë azil.

Projektligji u mbështet nga deputetët në pushtet të Demokracisë së Re dhe partisë Lëvizja për Ndryshim.

Koalicioni i së majtës radikale (SYRIZA), partia komuniste greke (KEE), Zgjidhja Greke dhe Mera25 votuan kundër ligjit.

“Ligji për azilin jep një mesazh të qartë… ata që e dinë se nuk e meritojnë azilin, por që përpiqen të hyjnë dhe të qëndrojnë në vendin tonë, nuk do të tolerohen më”, tha kryeministri grek Mitsotakis.

Kryeministri është zotuar se do të mbajë një qëndrim shumë më të rreptë se qeverisja e kaluar dhe ka premtuar se do të deportojë rreth 10 mijë migrantë deri në fund të vitit 2020.

Sipas Human Rights Watch, që nga fillimi i vitit 2019, gjithsej 53.462 azilkërkues kanë arritur nga Turqia në ishujt e Detit Egje, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2018 arritën 42.010 azilkërkues.

Sipas organizatës Human Rights Watch , situata në ishujt grekë ku 34.400 gra, burra e fëmijë janë bllokuar në kushte të mjerueshme, ka arritur në një pikë krize dhe projektligji i ri mund të çojë në probleme të të drejtave të njeriut.