Greqia hap sezonin turistik, shqiptarët nder të parët që do lejohen

743
0

Greqia pritet të hapë zyrtarisht sezonin veror për të gjithë turistët e huaj duke nisur nga data 15 qershor. Turistët do të lejohen të hyjnë në Greqi pa bërë tamponin e koronavirusit ose të futen në karantinë.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis bëri të ditur se hotelet dhe resortet do të hapen në qershor, ndërsa fluturimet ndërkombëtare charter do të rifillojnë në muajin korrik. 

“Turistëve do t’u merren kampionë për testim në aeroporte dhe do t’iu nënshtrohen protokolleve të higjienës, të cilat nuk do të eklipsojnë diellin dhe bukurinë natyrore të Greqisë”, tha Mitsotakis.

Shqiptarët do të jenë ndër turistët e parë që do të lejohen të hyjnë, pasi qeveria greke do të nisë sezonin me turistët nga vendet me të dhënat epidemiologjike të njëjta, si Ballkani dhe vendet e Juglindore.

Mitsotaqis tha se autoritetet do të forcojnë kapacitetin e kujdesit shëndetësor në disa destinacione turistike duke siguruar teste dhe mjekë, si dhe një plan operacional për trajtimin e epidemive të mundshme në hotele dhe resorte.

Greqia është vlerësuar për mënyrën e menaxhimit të krizës shëndetësore, me vetëm 166 jetë të humbura dhe mbi 2800 raste me Covid-19.

Mitsotakis është i bindur se ashtu siç fituan betejën me pandeminë, do të fitojnë edhe luftën ekonomike.

Për të inkurajuar turizmin, Greqia do ta bëjë udhëtimin më të lirë, duke ulur përkohësisht TVSH te të gjitha llojet e transportit e gjithashtu pijet.