Nje shqiptar nga Kosova vendosi të shpenzojë kursimet e tij për t’i uruar presidentit amerikan Donald Trump shërim sa me të shpejtë përmes një tabele gjigante në hyrje të aeroportit të Prishtinës.
Naim Murseli, i cili është këshilltar i kryetarit të AKR, Behgjet Pacolli, ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, ku postimi i tij është shpërndarë disa qindra herë.
Naimi thotë se ka paguar billboard-in më të madh dhe më të shtrenjtë ku shkruhet “Shërim të shpejtë Mr. President”, me foton e Trump dhe flamurin amerikan e atë të Kosovës në sfond.
“Kam përdorur kursimet e mia për të paguar billbordin më të madh dhe më të shtrenjtë, afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, për të nderuar Presidentin Donald Trump dhe popullin Amerikan. Njerëzit e Kosovës i urojnë Presidentit shëndet dhe shërim të shpejtë. Zoti i bekoftë vendet tona”, ka shkruar Murseli në Twitter.