Duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, KMSH ka informuar besimtaret se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë.
Ne ceremonine qendore te Fitër Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri) Tiranë. Hoxhe Spahiu do të mbajë edhe hutben, ndërsa një fjalë përshëndetëse do të mbajë edhe myftiu i Tiranës, Lauren Luli.
Ceremonia do të fillojë në orën 05:30 të mëngjesit me lexim Kurani dhe lutjesh, ndërsa falja do të bëhet në orën 06:00 dhe besimtarët do të udhëhiqen nga kreu i KMSH, Haxhi Bujar Spahiu.
Teksa i ka uruar të gjithë besimtarëve paqe e lumturi në familjet e tyre, Hoxhë Spahiu ka falënderuar në mënyrë të veçantë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, që punuan me përkushtim për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të prekur nga pandemia.
“Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta, iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar”, tha Hoxhë Spahiu, ndërsa ka bërë thirrje për lutje që kjo festë të jetë një sihariq për të larguar sëmundjet dhe fatkeqësitë.