Franca nuk po gjen paqe/ Ashpërsohen masat, shkollat mbyllen për 3 javë, i gjithë vendi futet në izolim

362
0

Rreziku nga një vale e re e pandemisë dhe situata me spitalet e detyruan Francën të ashpërsojë regjimin e karantinës kundër covid.

Ndalimqarkullimi midis rajoneve të caktuara tashmë do të aplikohet për Parisin dhe për gjithë vendin për 4 javët e ardhshme, me orarin policor që fillon nga ora 19.

Puna do të zhvendoset kryesisht në internet, do të ndalohet grupimi i më shumë se 6 personave në sheshe, si edhe konsumimi i pijeve alkoolike në hapësirat publike, siç u vu re fundjavën e shkuar në parqet anës lumenjve të Francës.

“Unë e dënoj pa hezitim papërgjegjësinë e disa njerëzve që pa dyshim besojnë se janë të pamposhtshëm ndaj sëmundjes shkatërrimtare e cila na tregon çdo ditë të kundërtën,” deklaroi në parlament kryeministri francez, Zhan Kasteks.

Një ditë më parë, presidenti Emanuel Makron propozoi ndër të tjera mbylljen deri më 26 prill edhe të institucioneve arsimore e përkujdesjes.

“Për tri javë do mbyllim çerdhet, shkollat, kolegjet dhe gjimnazet. Kalendari shkollor do të përshtatet. Siç ndodhi edhe vitin e kaluar, do të ketë mbështetje ekonomike dhe sociale për prindërit që do duhet të kujdesen për fëmijët apo që do punojnë me orar të shkurtuar,” deklaroi Macron.

Që nga muaji shkurt, janë dyfishuar rastet e infektimit me covid-19 në Francë, me një mesatare prej 40 mijë personash përditë.

Autoritetet presin që vala e tretë e pandemisë do e arrijë kulmin brenda 10 ditëve.

Disa lande gjermane po ashtu kanë nisur të aplikojnë masa më kufizuese kundër kovidit-19; Spanja pritet t’i bëjë maskat të detyrueshme edhe në ambientet e pishinave e plazheve, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kritikuar Europën se po ecën shumë ngadalë me fushatën e vaksinimit.