Fotot e fundit të Musaenit, 24 orë para se ta largonin nga kjo botë, festoi me shokët e shoqet përfundimin e Maturës

1741
0

Nuk e mendonte se këto foto që ilustrojnë këto radhë, do të ishin të fundit në jetën e tij në këtë botë.

Mbrëmja e 25 qershorit, si për çdo maturant tjetër, është nga ato që mbahen mend gjatë, madje gjatë gjithë jetës.

Musaeni, bashkë me shokët e tij të Shkollës Profesionale “Hamdi Bushati”, të premten e javës që lamë pas, kanë festuar përfundimin e maturës.

Është një etapë shumë e rëndësishme në jetën e çdokujt dhe për shumëkend, nisja e një rrugëtimi të ri në shkollim.

Shokët e shqet e Musaenit, tregojnë se atë natë, nga ora 8 deri rreth orës 11.30, Musaeni ishte shumë i hareshëm, gëzonte, qeshte, dilte në fotografi me të gjithë. Donte edhe një foto me mësuesit dhe e bëri, thuajse parandjente atë që do të ndodhte vetëm pak orë më pas…

I veshur dhe i rregulluar, duket se në ato pak orë kishte hedhur pas shpine hallet e shumta e të mëdha për moshën e tij të njomë. Të paktën në ato orë, do të ndjehej si gjithë të tjerët, pavarësisht jetës që nuk u tregua aspak bujare me të dhe familjen e tij.

Bënte humor, argëtohej madje edhe qeraste të tjerët jo me para por me shpirtin e tij të veçantë. Përbrenda kishte një gëzim, një shpresë. Do të fillonte pune, do të ndihmonte nënën e vëllanë por do të kishte edhe paratë e vete. Pse jo, për të gëzuar sado pak jetën, për tu ulur me shokët në një tavolinë dhe të mund të paguante pa iu dridhur dora. Përveç kësaj, orët e pakta të pushimit që mund të kishte, do të shijonte edhe plazhin, rrezet e diellit pa shumë shpenzime. Fjetja dhe ushqimi ishin të garantuara…

Musaeni u përqafua me shokët e shoqet. Mëngjesin e të shtunës, do të nisej për Velipojë. Ëndrra e largët ishte Anglia, si e shumë të rinjve të tjerë që nuk gjejnë shpresë në këtë vend. Por ndryshe nga shumë të tjerë, nuk kishte se kush t’ia siguronte paratë drejt Anglisë. E kështu, vendosi të fillonte pune edhe ndihmëskuzhinier, edhe kamarier. Në fund të ditës së parë të ëndrrës së saponisur, ndoshta nuk kishte siguruar më shumë se 300 lekë të vjetra bakshishe. Si ditë e parë, mbase më shumë ndihmoi në kuzhinë por shpresonte që në ditët në vazhdim, të punonte më shumë si kamarier…
E çfarë ndodhi pak pas mesnatës të së shtunës, e dimë të gjithë. Është një histori që po e përtypim të gjithë, edhe pse shumë e hidhur, po e kapërdijmë. Sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër. As për nënën, vëllanë e të afërmit e Musaenit, nga sot engjëll parajse. Një jetë padrejtësisht e ndërprerë në nisje të ëndrrës. Ëndërr e ndryshme nga e shumë të rinjve. Nuk ishin makina, vila luksoze, pub-e. Ishte sakrificë në moshë të re, megjithë problemet e shëndetit e të jetës së padrejtë.

Të ndihmonte familjen të mbijetonte, pse jo duke ëndërruar Anglinë për të ardhur pas disa viteve për të investuar nga mundi i tij, pikërisht në Velipojë.

Patjetër do të mblidhte shokët, zemra e tij e madhe dhe e pastër, do ti kishte pranë, rrotull duke u treguar me krenari atë që kishte arritur për familjen por edhe për veten.

Sigurisht që do ti qeraste edhe me Red Bull, ashtu siç bëri edhe në festën e tij të fundit, ndoshta ndër të rrallat në jetën e tij, mbrëmjen e Maturës në një nga lokalet e Shkodrës. Këto foto nga të zakonshme, sot kanë një vlerë të veçantë për shokët e shoqet e Musaenit, nënën, vëllanë, familjarët, ata që e njohën nga afër dhe nga larg përmes ikjes së tij tragjike. E këto foto janë kujtimi i fundit i Musaenit, i fundit për shokët dhe familjen që e panë të lumtur në orët e fundit të jetës së tij. /Nga Blerti DELIJA/