Formulës 1 i rikthehet emri Schumacher

571
0

Botërori i Formulës 1 duket se shumë shpejt do të ketë një tjetër Schumacher në pistë. Bëhet fjalë për Mick Schumacher, djalin e legjendës 7 herë kampion bote, Michael, që me sa duket është vënë në shënjestrën e Toro Rossos.

Piloti 19-vjeçar po bën paraqitje fantastike këtë sezon në kampionatin F3 të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) dhe këtë e vërtetojnë fitoret e dy garave, më e fundit në Çmimin e Madh të Nurburgringut fundjavën e kaluar, që i jep mundësinë atij t’i afrohet gjithnjë e më shumë kreut të renditjes, që mbahet nga Dan Ticktum me një diferencë prej vetëm 16 pikësh.

Në fakt, në 10 ndalesat e fundit në këtë kampionat, ai ka arritur të fitojë 6 prej tyre dhe në të njëjtën kohë ka qenë konstant në paraqitjet e tij, pasi në vetëm 3 raste nga 24 raunde nuk e ka përfunduar garën.

Kjo ka bërë që Helmut Marko të kontaktojë me Mick Schumacher dhe përfaqësuesit e tij, për të parë nëse ekzistojnë mundësitë që ai të jetë pjesë e Formulës 1 në vitin 2019. Mick Schumacher e ka të sigurtë marrjen e superlicencës për të garuar në këtë kampionat, duke qenë se ka marrë 20 pikë nga 40 të nevojshmet, pikë të cilave do t’u shtohen edhe ato që do të fitojë nga pozicionimi mes 3 vendeve të para në F3.

Problemi në këtë pikë qëndron te presioni që do të ushtrohet te Mick Schumacher, nëse do të bëjë këtë kalim të shpejtë në Formulën 1, ndërkohë që plani është që sezonin tjetër, ai të garojë në F2 me skuadrën e tij aktuale “Prema”. Presioni i madh mbi të mund të bëjë që gjërat të mos shkojnë mirë për 19-vjeçarin në Formulën 1, diçka që familjarët e tij nuk duan të ndodhë.

Top Channel