Flasin banorët: Rruga ku u shua një familje, është rrugë tragjedish. Ja ç’po ndodh aty!

504
0

Nga Anxhela Ferra

Pasditja e ditës së dielë, përgjaku rrugën Shkodër-Velipojë. Një aksident tragjik, ku kryefamiljari Edmond Preka, djali i vogël 9 muajsh dhe vajza 5 vjeçare, humbën jetën. Ndërkohë, nëna Evisa dhe vajza 10 vjeçare, ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe Sokol Mullaj dhe Ndrek Gjergji, të cilët udhëtonin me makinën tjetër. Por, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Banorët thonë për Dritare.net se ky segment rrugor është një prej më problematikëve në vend dhe aksidentet janë të shpeshta.

“Vetëm disa ditë më parë, një makinë ra në kanal, fatmirësisht pati vetëm dëme materiale, por jo gjithmonë ndodh kështu. Dhe ja, tek ndodhi, ngjarja tragjike e ditës së djeshme, ku humbën jetën ëngjëj, njerëz të pafajshëm.

Gjendja në këtë aks është skandaloze. Që prej qershorit të vitit të kaluar, kanë nisur punimet, por aty nuk ka asnjë sinjalistikë. Mendohet që punimet të mbarojnë në muajt në vazhdim, por gjithçka aty është një spektakël i zi. Asgjë nuk është rregulluar, punimet zvarriten dhe ne, me të drejtë, kemi frikë të kalojmë aty.

Mungojnë tabelat, por ajo që është më e rëndë është ndriçimi dhe bagëtitë. Në këtë rrugë, çdo ditë kalojnë dele, lopë, bagëtitë ecin krahë për krahë me makinat. Askush nuk merret me to, ashtu si askush nuk po merret me zgjidhjen e kësaj situate. A duhet të humbasin jetën të tjerë njerëz, që të bëhet diçka?”-thonë për Dritare.net banorët.

Segmenti Shkodër-Velipojë është një prej më të frekuentuarëve, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Projekti për rehabilitimin e kësaj zone ka një fond prej 20 milion dollarësh parashikon shkurtimin e distancës aktuale me disa kilometer nga Velipoja në Shkodër, zgjerimin me 7 metra mesatarisht. Si dhe eliminimin e disa kthesave të rrezikshme. Sipas autoriteteve, veç shkurtimit të kohës së qarkullimit, rruga e re do të jetë më e sigurtë.

Por, deri atëherë, aksidente fatale, vazhdojnë të marrin jetën e të pafajshmëve./Dritare.net