Faktet që tregojnë se Lulzim Basha është i vetmi që duhet të ikë

784
0

Opinion nga Flogert Muça

Lulzim Basha pas një shfaqje të turpshme dhe pa asnjë rezultat në Bulevard në protestën e 16 shkurtit, ka dalë dje dhe sot në dy deklarata për shtyp ku ka lajmëruar se do të djegë mandatet e deputetëve të PD-së, me argumentin se Rama i ka vjedhur zgjedhjet e  2017-ës, ndaj duhet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme.

Por përpos rezultateve përherë humbëse, janë edhe tre fakte të tjerë që tregojnë se i vetmi që duhet të ikë është ai vetë, e ato janë: Koha, certifikimi nga KQZ dhe OSBE i zgjedhjeve dhe pushteti që ai pati kur zgjedhjet e qershorit 2017 u organizuan.

E para gjë që të vjen ndërmend teksa dëgjon Bashën të flasë për djegie mandatesh ka të bëjë me kohën. Pse Lulzim Basha u kujtua se zgjedhjet u vodhën pas dy vitesh  e  pikërisht tani kur jemi 4 muaj larg zgjedhjeve lokale? Si ka mundësi që njëlloj si në 2017-tën, Basha fiks 4 muaj para zgjedhjeve kërkon qeveri teknike? Si ka mundësi që opozita sa herë afrohen zgjedhjet kërkon qe të jetë ajo në qeveri dhe pasi e merr qeverinë, humbet sërish e më pas paradoksalisht akuzon kundërshtarin se i ka vjedhur zgjedhjet? Këto janë pyetje retorike që tregojnë se Basha e di që problemi është ai dhe pafuqia e tij për tu përballur, ndaj e do pushtetin në tavolinë, siç nuk ndodh askund në asnjë vend demokratik.

Fakti i dytë është çertifikimi i zgjedhjeve nga KQZ dhe OSBE. Madje, në bazë të marrëveshjes së 17 majit 2017-të kur Basha mori gjysmën e qeverisë, ai mori edhe KQZ-në. E ishte pikërisht KQZ-ja e tij që e certifikoi zgjedhjet. Pse Lulzim Basha nuk e tha që ditën e parë paszgjedhore se i kishin vjedhur e që KQZ-ja nuk duhet t’i certifikonte zgjedhjet?

Por përtej KQZ-së së Bashës, zgjedhjet i certifikoi poashtu edhe OSBE-ja, duke i vene kështu vulën çdo debati.

Fakti i tretë që e nxjerr zbuluar Bashën si humbës të lindur është pushteti. Lulzim Basha në bazë të marrëveshjes së 17 majit me Kryeministrin Rama, mori më shumë se gjysmën e qeverisë, duke marrë të disa nga ministritë  dhe drejtoritë/agjensitë që përbëjnë pjesën e luanit të pushtetit, përfshirë siç thamë ma lart edhe KQZ-në, për të garantuar moscertifikimin e zgjedhjeve në rast parregullsie.

Pavarsisht kësaj, ai humbi sërish, madje më thellë se kurrë më parë në historinë e PD-së.

Thënë këto, Lulzim Basha sot nuk ka asnjë argument real veç faktit që është i paaftë të ndërtojë ekip, platformë qeverisëse dhe frymë, ndaj kërkon pushtet në tavolinë sa herë afrohen zgjedhjet e radhës.

Bazuar në  faktet e mësipërme që tregojnë se Lulzim Basha di vetëm të humbasë edhe kur i ka të gjitha instrumentat e pushtetit vetë në dorë, dalim në përfundimin se ai që duhet të largohet është vetë ai dhe askush tjetër.

E si për t’i mbushur mendjen demokratëve se ai nuk duhet të ikë akoma nga drejtimi i PD-së, del e kërkon që të ikë ai që e ka mundur edhe kur pushtetin e kishte vetë Basha./Lexo.com.al