Exclusive/ Irani sulmoi Shqipërinë? Mesazhi politik pas sulmit kibernetik të e-Albania: 30 milionë euro në bitcoin per ti zbllokuar

209
0

Pas katër ditësh vetëm një pjesë e shërbimeve të e-Albania nuk janë ringritur.

Zyrtarisht autoritetet shtetërore flasin për një sulm kibernetik nga një shtet i huaj. Top Channel mëson se në kompjuterët e selisë qendrore të AKSHI-t dhe e albania ka dalë kjo tabelë e cila pretendohet se është e hakerave.

Në të thuhet: “Të gjithë skedarët tuaj janë të koduar me enkriptim RSA 2084. Nuk është e mundur të rikuperoni skedarët tuaj pa një çelës privat. Duhet të na telefononi për të marrë të gjithë çelësat privatë për të gjithë PC e prekur”.

Më pas janë publikuar disa numra telefoni shqiptarë. Këta numra janë të krerëve të shtetit shqiptar dhe familjarëve të tyre dhe jo të hakerave. Në këtë mënyrë mesazhi kërkon të japë një sinjal të qartë politik për qëndrimin e shtetit shqiptar.

Mesazhi mbyllet edhe me një koment që ngre shumë dyshime.

Në të thuhet: “Pse duhet të shpenzohen taksat tona në dobi të terroristëve të Durrësit”.

Në këtë mënyrë hakerat kanë dashur të tregojnë lidhjen e tyre me shtetin iranian që prej kohës ka futur Shqipërinë në listën e vendeve jo mike për shkak se strehon anëtarët e opozitës iraniane.

Por mesazhi i dytë ngre dyshime të tjera. Burimet i thanë Top Channel se në një mesazh të dytë ka shkuar pranë AKSHI-t ku janë kërkuar si shpërblim 30 milionë euro në bitcoin.

Hakerat kanë kishin bllokuar të dhënat e shtetit shqiptar me sistemet më të vështira për t’u zbërthyer. Ndërkohë mësohet se virusi i përdorur fshin dokumentet dhe numri i kompjuterëve të prekur është shumë i madh.

Pas sulmit, një seri mesazhesh kanë mbërritur në numrat e telefonit të shumë qytetarëve shqiptare. Këto janë disa prej tyre ku jepen mesazhe politike kundër shtetit shqiptar që po ndihmon opozitën iraniane./tch/