Euro në pikiatë, rënia më e madhe në historinë e monedhës europiane në vend

58
0

Prej 6 ditësh euro po këmbehet me më pak se 114 Lekë, kjo është edhe rënia më e madhe në historinë e monedhës europiane në vend. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, sot euro u këmbye me 113.94 Lekë.

“Kemi një ofertë të Euros më shumë se zakonisht, prandaj kemi mbiçmim të Lekut. Ka disa faktorë që janë përtej faktorëve sezonalë, që kanë të bëjnë me fundvitin. Duhet të kemi parasysh që Shqipëria ka informalitet të lartë.”

Ndërsa euro është zhvlerësuar, me monedhën vendase ndodh e kundërta duke u favorizuar kështu importuesit, por jo eksportuesit.

“Në kontekstin e inflacionit padyshim një lek i mbiçmuar mund të ketë një efekt amortizues sa i përket rritjes së çmimeve, po ndërkohë kemi dhe efekte negative, shqiptarët që kanë të ardhura në euro mund të ketë një rënie të fuqisë blerëse.”

Euro pritet të qëndrojë e zhvlerësuar në raport me Lekun deri në fillim të vitit të ardhshëm.

“Nuk do ketë një rrotullim të shpejtë të Euros po gjithsesi nuk besoj se pas Janarit do kemi një zhvlerësim të mëtejshëm të kësaj monedhe”.

Historikisht periudha e fundvitit sjell zhvlerësim të Euros në kursin e këmbimit me Lekun, por kjo rënie mbetet më e madhja ndonjëherë. Prej Nëntorit të vitit të shkuar në rënie ka ardhur edhe Dollari që aktualisht këmbehet me 107.2 Lekë.