Fotografi Felix Bilani ka kritikuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për vendosjen pa plan dhe pa asnjë kriter të korsive të biçikletave në rrugët e qytetit. Sipas Bilanit, korsi të biçikletave nuk ka në asnjë prej rrugëve kryesore të metropoleve botërore, ndërkohë që në qytete të tjera, ato vendosen në trotuar dhe jo në asfalt ku kalojnë makinat.
Bilani theksoi në “Late Night Show”, në Ora News, se këto korsi në Tiranë po dëmtojnë edhe bizneset e vogla, pasi sot është e pamundur të ndalosh katër minuta me makinë për të blerë diçka. Fotografi kritikoi gjithashtu edhe mungesën e parkimeve në Tiranë, ndërkohë që qytetarët detyrohen të paguajnë, pa asnjë zgjidhje alternative, për të parkuar makinat.
“Stresi im është kur të shkojë në lagje ku do parkoj? Arsyeja është thjeshtë. Lali Eri ka bërë diçka që nuk ekziston në asnjë vend të botës. Çdo gazetar mund ta investigojë, në çdo vend të botës korsitë e biçikletave janë në trotuar. E para për të ruajtur jetën e atij që nget biçikletën. E dyta, kur nuk ka trotuar, metropolet e mëdha si Roma, Milano, Parisi, Beogradi, Nju Jorku nuk kanë korsi biçikletash sepse janë metropole. (Në Tiranë) Të gjitha korsitë e biçikletave janë vendosur përpara bizneseve të vogla. Ti nuk ndalon dot as katër minuta, e ke me kod rrugor, për të marrë një aspirinë në farmaci. Ti nuk ke ku ndalon sepse ke korsitë e biçikletave. Nuk është personale është çështje logjike. Në Tiranë duhet të paguash një mijë lekë orën për parkimin. Kinezërira nga analfabetë funksionalë, totalisht. Pyet një ekspert rrugor, probabiliteti i një rrëzimi biçiklete në korsi është vdekje e sigurtë, sepse bie direkt në rrotat e makinës”, u shpreh Bilani.
Felix Bilani tha për Erion Veliajn se është “analfabet funksional” që bën ‘kinezërira’ me qytetin dhe banorët.