Epidemiologu Taulant Muka kundra mbajtjes se maskave: Qeveria te mbylle serish kufijte

727
0

Epidemiologu Taulant Muka thotë mbajtja e maskës është një prej masave që mbron kundër koronavirusit, por mbajtja e saj në mënyrë të gabuar mund të sjellë efekte të kundërta.

“Maska mund të jetë efikase, nuk është se ka të dhëna të forta shkencore për efektet e saj në përdorimin komunitar, por në rast se përdoret keq, sigurisht që mund të ketë edhe efekt të kundërt. Njerëzit mund të besojnë se nuk duhet më distancimi fizik, por ai është mjeti më i fuqishëm që kemi sot. Maska në vetvete mund të jetë shumë pozitive, nëse përdoret në mënyrë të saktë, por nuk duhen anashkaluar masat e tjera. Në vendet skandinave nuk rekomandohet mbajtja e maskave edhe në transportin publik. Këtu udhëhiqemi nga padituria, merren masat, kopjohen nga një shtet dhe zbatohen”, tha Muka, i ftuar në Ditarin e mëngjesit në A2.

Epidemiologu që jeton dhe punon në Zvicër kritikoi autoritetet në Shqipëri për faktin se sipas tij, gabimisht menduan se me rritjen e temperaturave, përhapja e koronavirusit do të binte. “Evidenca shkencore për mungesën e efektit të temperaturës ekzistonte që në maj, por në Shqipëri nuk u interpretua siç duhej pasi mungonin kapacitetet shkencore dhe intelektuale nga ana e qeverisë dhe komitetit teknik për të kuptuar evidencën”, tha ai. “Nga ana tjetër duhet kuptuar që nuk është se virusi nuk i prek moshat e reja, por i prek më pak dhe ka përqindje të ulët vdekshmërie. Nuk besoj se është zgjidhje që trumbetimi që të rinjtë po vdesin, besoj që ka më shumë nevojë për ndërgjegjësim dhe plan afatgjatë”.

Muka shtoi se qeveria duhet të marrë në konsideratë mbylljen e kufijve, si një masë që rezulton efektive për uljen e rasteve të reja. “Nëse importojmë raste, pra kemi gati 30 mijë turistë që vijnë çdo fundjavë, nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, atëherë do të ketë rritje të rasteve. Mbyllja e kufijve me vendet qe kanë numër më të madh rastesh se vendi yt ka rezultuar efektiv. Prandaj edhe BE ka mbyllur kufijtë me vendet e Ballkanit”, tha ai.

“Nuk di që qeveria shqiptare të ketë strategji afatgjatë, që të lejojë turizmin për të mbrojtur ekonominë, por kjo mund të sjellë rëndim të situatës dhe mbyllje të vendit më vonë. Nuk është zgjidhje zhvillimi i kapaciteteve spitalore sot, kjo duhet të ishte bërë me kohë. Pandemia mund të zgjasë me vite dhe Shqipëria, edhe nëse del një trajtim i suksesshëm ose një vaksinë, është e fundit që mund të ketë akses, për shkak të burimeve të pakta”.a2news