Eni Çobani: Zoti ekziston nuk diskutohet, por besojeni Atë në kohë të mira, që ta ndjeni në kohë të vështira.”

758
0

Juristja Eni Çobani ishte e ftuar këtë të diel në rubrikën “BE Coffee” tek “E Diela Shqiptare”. Në një intervistë ndryshe nga të tjerat, Zonja Eni u pyet nga Erion Isai edhe për aksidentin që ajo ka kaluar pak kohë më parë dhe nëse ai moment i kishte ndryshuar diçka në këndvështrimin e saj për jetën.

Përgjigjja e Çobanit ishte: Shumë! “E para sepse ka një lidhje të çuditshme me datën. Unë kam lindur me 27 Maj dhe aksidenti ka ndodhur me 27 Janar. Data në vetvete për mua patjetër që tashmë është një datë fati. Nuk e mendoja që do të ishte kaq datë fati, përveç momentit që kam lindur, por unë rilinda prapë. Dhe tani vendlindja ime e dytë është në Tropoja, e para është në Tiranë. Kështu që Tropojën tashmë e kam të pandarë, ka qenë një moment shumë tragjik.

Zonja Eni tha se kishte rënë nga një lartësi prej 24 metrash dhe falënderoi Zotin që e ka shpëtuar.

Unë kam lënë që të shtojnë metrat që kam rënë një herë, sepse e kanë bërë një legjendë të madhe. Unë kam rënë vërtetë nga një lartësi shumë e madhe. Por nuk është as 100, as 50 as 30, por është 24, e matur nga Policia e Shtetit. Dhe mendoni të biesh në një humnerë 24 metra është mrekulli të shpëtosh. Unë falënderoj Zotin për këtë pa diskutim.

Njerëzit që i janë gjendur pranë në ato momente të vështira thotë se do t’i ketë gjithmonë të shtrenjtë.

Më ka ndërruar shumë këndvështrime Erion, e para jetën kam filluar ta shikoj ndryshe. Njerëzit që më janë ndodhur afër në ato momente do t’i kem të shtrenjtë shumë për të gjithë jetën time. Ti je një nga ata. Nuk ka nevojë të flasësh shumë ën ato momente, edhe me një “a je mirë?” ti e ndjen veten shumë plot. Më kanë mjaftuar edhe këto mesazhet e shkurtra të mendoj dhe besoj se paskam njerëz shumë të dashur. Kështu që falënderoj Zotin, që më sprovoi mua. Më sprovoi shumë fort. Është një sprovë që jo kushdo e kalon, mua më sprovoi. Dhe me këtë provova që jo vetëm Ai më kishte në duart e tij, por më paska pasur edhe në zemër. Kështu që unë do të jem e pandarë tani nga besimi, unë kam besuar gjithmonë, por tani akoma edhe më tepër. Në statuset e mia që njerëzit i ndjekin shumë tani së fundmi kanë filluar të shikojnë që unë flas edhe për Zotin. Një mike e imja më tha Eni e le drejtësinë? I thashë jo, drejtësinë nuk e lë sepse Zoti është i drejtë dhe Zoti me drejtësinë janë një, kështu që unë jam me të dyja, me Zotin dhe drejtësinë.

Në fund edhe një këshillë për të gjithë teleshikuesit.

Unë nuk dua t’ju hidhëroj me pjesën e ndodhisë, unë dua t’ju them vetëm kaq, besoni, Zoti ekziston nuk diskutohet, por besojeni Atë në kohë të mira, që ta ndjeni në kohë të vështira./tvklan.al