Endri Tolka: Si 34-vjecari nga Tirana krijoi kompaninë e së ardhmes në USA

745
0

“Pa borxhe dhe kredi. Këta janë themeluesit e suksesshëm të realitetit virtual!”

Kështu e nis Forbes artikullin e saj për rrugëtimin e një prej kompanive më të suksesshme sot në Amerikë, YouVisit, ku një prej themeluesëve është 34-vjeçari shqiptar.

Kjo ishte zgjedhja e 3 të rinjve, bashkëthemelues të YouVisit, një kompani virtuale, e cila ka si shërbim kryesor, udhëtimin virtual.

YouVisit është një platformë e teknologjisë së lartë, (kliko këtu per ta vizituar)e cila në mënyrë virtuale  bën të mundur që klientët që nuk mund të marrin pjesë në një aktivitet të  caktuar, të përjetojnë të njëjtën eksperiencë si ata që janë të pranishëm fizikisht.  Kjo bëhet përmes disa pajisjeve të posaçme. Pasarelat, universitete, evente apo shfaqjet e ndryshme ishin disa nga klientët kryesorë të kompanisë . Në mënyrë virtuale, mund të jesh pjesë e të tilla aktiviteteve dhe të organizosh çdo gjë pa qenë aty.

Facebook: Photo Courtesy of YouVisit

Ideja e biznesit qe e thjeshtë. Mandelbaum, që sot është drejtori ekzekutiv i YouVisit, dikur ishte thjesht një student nga Kolumbia, i cili takoi rastësisht në universitet Taher Baderkhan nga Jordania dhe Endri Tolka, djalin nga Shqipëria, sot COO i kompanisë (Chief Operating Officer). Fati deshi që edhe pasi të diplomoheshin bashkë për shkencat kompjuterike, në universitetin e njohur të Brandeis pranë Boston-it, të ndiqnin ëndrrën dhe të krijonin kompaninë e së ardhmes, pikërisht në Amerikë.

Endri Tolka ka lindur në Tiranë dhe që  ka emigruar me familjen në Amerikë ne fillim të viteve 90-të, falë nënës së tij, Diana Kristo,  një prej pedagogeve dhe përkthyeseve më të mira të anglishtes në Shqipëri, e cila vijoi punën pranë Departamentit të Shtetit.

Kur Endri dhe shokët e tij vendosën përfundimisht t’i shkonin gjer në fund  idesë së tyre rreth vitit 2009, realiteti virtual ishte në fillimet e veta.

Ndërkohë që Endri punonte në Fidelity Investments (kompani shërbimesh financiare)  dhe secili prej djemve ishin të angazhuar me aktivitetet dhe studimet e tyre, vendosën që bashkë të kontribuonin me një shumë fillestare prej 2000 eurosh, për të përballuar kostot e nevojshme të kompanisë.

Sigurisht,  që problemet me faturat do të ishin të pashmangshme, derisa Tolka siç shkruan revista “Forbes” i kërkoi familjes së tij t’i jepte një dorë duke i paguar qiranë, për një periudhë të caktuar.

Në valën e krizës financiare, ideja që disa studentë të merrin kredi për të nisur një biznes të atyre përmasave, dukej gati-gati qesharake.

“Bankat na shikonin dhe qeshnin me kërkesën tonë.Askush nuk pranonte të na jepte para.”- kujton  Endri per “Forbes”.

Përpos bashkëpunimeve me disa firma të mëdha, përfshirë Fidelity Ventures dhe Edison Partners, ata vendosën ta shihnin përballë realitetin dhe ta kuptonin drejt. Mbledhja e parave nga investitorë potencialë ishte një projekt më vete, që nënkuptonte shpenzim kohe dhe energjie për djemtë.

Gjithsesi, sido që të rezultonte, dështim ose jo ata ishin të bindur për atë  ç’ka donin të arrinin.  Dhe në fakt, ia dolën! Universiteti i New Haven me Connecticut ishte klienti i parë që zgjodhi të bashkëpunonte me ta. Më pas vijuan dhe të tjera universitete që u joshën nga turet virtuale që krijonte YouVisit. Nje kontrate u vlerësua minimalisht 10,000 dollarë.  Pas universiteteve u shtuan edhe restorantet, hotelet, madje tashme edhe Central Park në New York është klienti i tyre.

Bazuar në shumë punë dhe disiplinë, YouVisit nga tre vetë,  u shndërrua në një kompani me tre zyra në tre shtete të Amerikës dhe me një staf prej 75 punonjësish. Momentalisht sipas “Forbes” Youvisit gjeneron  rreth 15 milionë dollarë në vit.

Facebook: Photo Courtesy of YouVisit

Për historinë  e suksesit të tyre dhe të vetë kompanisë, kanë shkruar shumë media prestigjioze në botë. Mes tyre, mund të përmendim revisten “Vogue”, që i dedikoi një artikull YouVisit për dokumentarin që kompania realizoi në Virtual Reality gjatë “Mercedez Benz Fashion Week” në Rusi. Shkrimi e prezantonte  YouVisit,  si kompaninë e së ardhmes përsa i përket shërbimit të “udhëtimeve virtuale” (lexo këtu).

/anabel/