Emisioni në televizionin publik RTSH kthehet në shportë gafash turpëruese, dorëhiqen dy protagonistët (‘THUMBAT’ NË RRJET)

649
0

Emisioni i mëngjesit në Radio Televizionin Publik Shqiptar, është kthyer në një oaz gafash të njëpasnjëshme nga ana e dy moderatorëve, të cilët janë shkarkuar së fundi nga puna. Pika e vlimit ka qenë një gafë në emisionin e ditës së hënë, ku asnjëri prej tyre nuk ka pasur njohuri për Holokaustin, dhe kampin e Aushvicit.

Është fillimisht moderatorja Valbona Mhilli, ajo që lexon gabimisht holokaustin, të cilin e cilëson si popull, dhe më pas kolegu i saj Ermal Qorri, i cili në përpjekje për të dalë nga situata, e ka të pamundur që të lexojë emrin e kampit, me pretendimin se nuk di gjermanisht. Përmendja e kampit në fjalë, është një njohuri që për nxënësit shqiptar fillon që në shkolla, e padyshim në çdo hap tjetër të librave, emisioneve televizive, apo bisedave të ndryshme.

Video në fjalë u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, duke ngjallur reagim mbi nivelin e moderimit në Televizionin Publik, e cila është e vetmja media që paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Të martën, emisioni i mëngjesit nuk doli në transmetim, ndërkohë që në rrjet publikoheshin edhe gafa të tjera të dy moderatorëve, që duket se nuk e kishin herën e parë që të bënin lapsuse.

Të dy ata bënë një reagim në rrjetet e tyre sociale, me pretendimin se nuk ishin pushuar por ishin larguar vetë nga vendi i punës, ndërsa brenda ditës janë gjetur dhe zëvendësuesit e tyre që do të dalin në ekran mëngjesin e sotëm. Mhilli mes rreshtave përpiqet që të kërkojë një ndjesë për atë që ka ndodhur, edhe pse thotë se në të njëjtat ujëra mund të ishte çdokush në vendin e saj.

“Nga sot nuk jam me pjese e RTSH. Kam vendosur me deshire dhe vetedije te plote te mos jem me pjese e programit te mengjesit ne kete ekran, qe me aq dashuri dhe perkushim ju dhashe me muaj te tere. Sherbefte ky “linçim” i imi publik mbi lapsuset njerezore si nje pikenisje drejt medias se lire, moderne dhe cilesore ne Shqiperi.

Faleminderit te gjitheve ju qe me keni ndjekur dhe me keni dhene force e energji per te buzeqeshur cdo dite ne ekran, pavaresisht problemeve qe ju nuk i shihni nga televizoret tuaj.

Po e mbyll kete sqarim dhe “Mea Culpa” me shprehjen e Krishtit: “Le ta hedhe gurin e pare ai qe ska mekatuar kurre”, sepse dihet qe gurin gjithmone e hedhin te paret….mekataret me te medhenj. Me dashuri, Valbona. Shihemi”, shkruan Mhilli në postimin e saj.

Ndërkohë që gazetari tjetër Ermal Qorri, nuk tregohet modest, kur thotë se emisionin e mëngjesit e kanë gjetur nga zero dhe e kanë çuar në maja.

“Sqarim për publikun, kolegët dhe të gjithë dashamirësit që dërguan me qindra mesazhe dhe telefonata sot, NUK ËSHTË I VËRTETË LAJMI I PUSHIMIT TIM NGA RTSH Radio Televizioni Shqiptar, mos deformoni të vërtetën!

Kam vendosur të mos jem më as autor dhe as moderator i programit Mirëmëngjesi Shqipëri, programit të cilit i kam dhënë energjinë dhe fytyrën time, duke e marë nga 0 e duke e ngritur on TOP. Fytyra ime vlen më shumë se çdo formë tjetër, nuk negocioj me askënd për asgjë, kam refuzuar dhe refuzoj të bëhem pjesë e arrogancës, injorancës dhe çdo forme tjetër kompromentuese!

Gazetaria është profesioni im, pasioni im dhe jam unë, pa maskë, pa doreza, pa kompromise dhe me shumë punë, lexim, përkushtim për të shërbyer në misionin e rëndësishëm të medias. Kush më njeh e di mirë që unë nuk jam ndërtuar mbi skandale por mbi punë dhe shumë punë.

Gazetaria ime është redaksionale, është e mirëfilltë dhe punë kërkimore, pjesë e të cilës është terreni i politikës, raportimi i luftës e deri te raportimet ndërkombëtare. Rastësia nuk më ngriti askund, formimi dhe përkushtimi po. Faleminderit publikut, atyre që më besuan nga dita e parë, unë do të jem ky që jam, i vërtetë deri në frymën e fundit! Do të shihemi shpejtë! Përqafime”, shkruan Qorri në postimin e tij, ndërsa nuk kanë munguar as thumbat e punonjësve të tjerë në RTSH.

I tillë ka qenë dhe reagimi i ish-drejtueses së emisionit të mëngjesit, Matilda Mcini, e cila shkruan:

“Sqarim: E gjete emisionin e mëngjesit ON TOP, dhe falë “profesionalizmit tënd” e cove në ZERO! Hajt suksese në jetë!”.

Situata në RTSH prej kohësh është problematike, në njërën anë me pushime masive nga puna me ardhjen e drejtuesit të ri Alfred Peza, dhe në anën tjetër me nivelin mediokër, që transmetohet në të vetmin ekran publik në vend. /ZËRI