E rëndë/ 40-vjeçari pret damarët, avioni bën ulje të detyruar në Rinas

6273
0

Një avion i linjës Lion-Stamboll ka bërë ulje urgjente në aeroportin e Rinasit në Tiranë pasi një afgan 40-vjeçar, i cili ndodhej në bord ka prerë damarët gjatë fluturimit.

Pas uljes së avionit në Rinas, janë njoftuar shërbimet e emergjencës të cilët e kanë dërguar afganin në spitalin e Traumës.

Sipas bluzave të bardha, ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Ndërkohë, udhëtarët e tjerë kanë vijuar fluturimin për në Stamboll pas uljes emergjente në aeroportin e Rinasit.

“Rreth orës 14:30, në aeroportin “Nënë Tereza”, ka bërë ulje të detyruar, avioni i linjës “Lion-Stamboll”, me të cilin udhëtonte shtetasi afgan M. N., 40 vjeç, pasi ky shtetas ka dëmtuar damarët e dorës me brisk (mjet rroje), gjatë fluturimit me avion.

40-vjeçari është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe aktualisht është në gjendje kritike për jetën”, njofton policia.