Tragjedi njëra pas tjetrës, Elsa: Humba vëllain 27-vjeçar, nëna u verbua nga të qarat, burrin e mori sëmundja për 6 ditë, ndersa babai..

179
0

Jeta e Elsës dhe familjes së saj është shenjuar nga humbje të mëdha. Rrëfimi i saj “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan nis me ndarjen nga jeta të njërit prej vëllezërve në moshë fare të re. Tragjedia solli një tjetër dramë, verbërinë e nënës së saj.

Elsa: Nga familja e prindërve kemi qenë 4 vëllezër dhe 2 motra ku fatkeqësisht njëri nga vëllezërit ka humbur jetën nga një aksident në Itali.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç?

Elsa: 27 vjeç. Humbje e madhe.

Ardit Gjebrea: Mami?

Elsa: Veçanërisht për mamin, mami humbi shikimin sapo bëri vëllai vitin dhe mjekët na thanë që nuk do i rikthehet më shikimi.

Ardit Gjebrea: Nga se ndodhi kjo?

Elsa: Nga lotët, nga e qara vazhdimisht për humbjen e vëllait.

Por fatkeqësitë nuk mbaruan me kaq. Në vitin 2010 Elsa vendosi që të shpërngulej me bashkëshortin e fëmijët në Durrës për të qenë më afër me prindërit. Kishin vetëm një muaj që ishin shpërngulur kur bashkëshorti u sëmur papritur dhe ndërroi jetë brenda pak ditësh.

Elsa: Brenda muajit që ne u  transferuam nga Dibra, im shoq shfaqi disa shqetësime. E dërguam  në spital dhe atje na thanë që i ka rënë verdhëza në gjuhën popullore që do të thotë hepatiti C. Për 6 ditë im shoq ndërroi jetë në moshën 37-vjeçare. Unë isha me dy fëmijë të vejgël, mosha ime 31 vjeçe. Një muaj që kishim ndërruam vendbanimin ishte tepër e vështirë, vajzën 8 vjeçe, djalin 12 dhe nga njra anë ishte dhimbja e bashkëshortit, m’u shemb e gjithë jeta që kishim ndërtuar, nga ana tjetër ishte gjendja ekonomike. Në momentin që  im shoq vdiq, unë nuk kisha më tepër se 100 mijë lekë të vjetra në xhep. Aty vetëm qiranë e kisha 80 mijë lekë.

E mbetur e vetme me dy fëmijët,  Elsa arriti të gjente punë si edukatore në një kopsht. Megjithatë, vështirësitë ekonomike ishin të mëdha dhe mezi ia dilnin. I vetmi krah ishte i ati, por një tjetër fatkeqësi do t’ia merrte edhe shpresën e fundit.

Elsa: Rritja e fëmijëve të mi nuk ka qenë aspak e lehtë. Përveç Zotit dhe ndihmës së babait, nuk kisha asnjë ndihmë tjetër.

Ardit Gjebrea: Më trego pak për babin, çfarë bënte ndërkohë? Mami kishte humbur shikimin…

Elsa: Mami ishte e verbër, babai punonte dhe mundohej që të më ndihmonte edhe mua paksa. Ka patur raste që më është dashur të shtrihem edhe pa ngrënë darkën duke qenë se nuk na mjaftonte ushqimi për vete, kishim vetëm për fëmijët. Në dyqane merrja në fillim të muajit, edhe bukën e merrja me listë dhe në fund të muajit sapo merrja rrogën do ndalesha te dyqanet të paguaja borxhet që kisha marrë.

Ardit Gjebrea: Cila ishte shpresa e vetme që ti kishe?

Elsa: Eh, vetëm babi. Babi ka ndërruar jete në vitin 2018 fatkeqësisht nga një aksident dhe që prej asaj dite unë kam pasur vështirësi, veçanërisht dhimbja shpirtërore që nuk hiqet kurrë se kam qenë si çdo vajzë shqiptare por baballarët janë heronj për vajzat. Ishte i vetmi që kisha krah në jetë./tvklan.al