Eksperti ngren alarmin/Vendi ynë me nivelin më të ulët të lindshmërisë në Europë, 1,38..

315
0

Fondi për Popullsinë i Kombeve të Bashkuara (UNPFA) prezantoi një analizë të detajuar mbi sfidat demografike dhe shëndetësore me të cilat përballet Shqipëria në shekullin 21.

Hartuar nga një grup ekspertësh në fushat e demografisë dhe shëndetit publik, (Dr.Arjan Gjonça, Dr.Genc Burazeri, Dr.Alban Ylli) ky raport tenton të japë rekomandime mbi hartimin dhe zbatimin e disa politikave të integruara gjithëpërfshirëse, si një mënyrë për t’u përballur me këto sfida. Politika këto, jo vetëm për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, por edhe për nënat e tyre.

Në një lidhje Skype për “Wake Up”, doktor Arjan Gjonça tha se rënia e lindshmërisë në Shqipëri është e menjëhershme dhe sot vendi ynë ka nivelin më të ulët të lindshmërisë në Europë.

“Shqipëria ka nga nivelet më të ulët të lindshmërisë në Europë tashmë dhe jo vetëm në Ballkan, me 1.38 lindje për një grua.

Është gati i ngjashëm me vendet e tjera të Ballkanit, me përjashtim të Kosovës që është rreth 2 fëmijë për grua. Te 1.4-1.5 janë edhe vendet si Maqedonia, Serbia, Greqia. Ne jemi si zonë me një nivel shumë të ulët të lindshmërisë.

Ndryshimet për lindshmërinë në Shqipëri janë në vazhdë, fillojnë që nga 1960 kur kanë qenë 7 lindje për grua, 3 lindje për grua në mbyllje të komunizmit në 1990 dhe sot në 1.38.

Rënia është e menjëhershme dhe këtu Shqipëria afrohet me vende si Italia dhe Spanja, pra rënia është e menjëhershme”, deklaroi Gjonça.