Ekskluzive/ Qeveria e Hollandës zyrtarizon qëndrimin: Nuk hapen negociatat për Shqipërinë; duhen rezultate të shkëlqyera

398
0

Zbardhet letra/ “Hollanda nuk është e bindur për rekomandimin e pakushtëzuar të Komisionit për të çuar përpara hapjen e negociatave me Shqipërinë në këtë moment.”
Qeveria hollandeze ka zyrtarizuar qëndrimin e saj kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë, pavarësisht rekomandimit pozitiv që vendi ynë mori nga Komisionit Evropian. Nëpërmjet një letre dërguar Parlamentit të Holandës, qeveria e drejtuar nga Mark Rutte deklaron se Shqipëria nuk është gati për të hedhur hapin e radhës në këtë proces. Holanda është kundër hapjes së negociatave.

“Komisioni (Evropian) me të drejtë thekson se numri i dënimeve mbetet i ulët. Komisioni gjen se procedurat e tenderimeve publike mbeten të paqarta dhe kjo përbën gjithashtu një shqetësim. Është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë punën në ndërtimin e një rruge bindëse në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet.

Sa i përket më sipër, Hollanda nuk është e bindur për rekomandimin e pakushtëzuar të Komisionit për të çuar përpara hapjen e negociatave me Shqipërinë në këtë moment. Shqipëria duhet të vazhdojë punën në zbatimin e pesë reformave prioritare, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vetëm kur arritjet në këto prioritete të përcaktuara nga Komisioni (Evropian) të jenë të shkëlqyera, atëherë Këshilli (i BE-së) mund të nisë negociatat me këtë shtet (Shqipërinë)”, thuhet në letrën e qeverisë holandeze.

Në letrën e Qeverisë për Parlamentin vihen në dukje disa përparime të Shqipërisë, kryesisht në uljen e kërkesave për azil, në respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, si dhe reformimit të sistemit të drejtësisë. Sa i përket medias, qeveria hollandeze shpreh shqetësim për ndërhyrjet e qeverisë nëpërmjet reklamave.

Vizita e tetë deputetëve holandeze në Tiranë

Kjo letër e qeverisë së Rutte i është dërguar Parlamentit pak ditë përpara se në Tiranë të mbërrinin tetë deputetë holandezë nga të gjitha partitë politike, për të mbledhur fakte për ecurinë e reformave.

Qëndrimi që ata mbajtën në kryeqytetin shqiptar është i njëjtë me atë çfarë shkruhet në letrën e qeverisë.

‘’Hollanda është hezituese, ne mendojmë se Shqipëria nuk është ende gati. Po shohim çështjen Tahiri. Politikanët duhet të dalin para drejtësisë për veprat penale që kanë kryer”, deklaroi Malik Azmani, deputeti që udhëhiqte delegacionin.

Për negociatat vendos Parlamenti

Në Hollandë është Parlamenti organi që merr vendimin përfundimtar për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Pas vizitës në Tiranë, deputetët holandezë do të raportojnë përpara kolegëve të tyre për faktet që kanë mbledhur në vendin tonë. Në Parlament do të zhvillohet një debat për çështjen e Shqipërisë dhe vendimi që do të merret për hapjen ose jo të negociatave do i dorëzohet qeverisë holandeze, kjo e fundit është e detyruar ta zbatojë.

Por në kushtet kur qeveria e Rutte shprehet qartë se është kundër hapjes së negociatave dhe deputetët hollandezë deklarojnë në Tiranë se Shqipëria nuk është gati për këtë fazë, vetëm një mrekulli mund të heq veton e Hollandës.

Sulmet e Ramës dhe Ruçit ndaj Hollandës

Sot në Ditën e Evropës, kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi në një konferencë për median sulmoi ashpër deputetët holandëzë për qëndrimet e mbajtura.

“Në atë sistem nuk kishte as drogë, as prostitucion dhe as kriminalitet. Të gjitha këto fenomene nuk i çuan shqiptarët në Europë, por i gjetën. Se do i thoja kolegut holandez, nëse është njollë e zezë hashashi në Shqipëri, teknologjia dhe tregu vjen nga Holanda. Unë nuk e akuzoj Holandën, por kam të drejtën të mos më identifikojë me këto, por të na identifikojë përpjeket e arritura”, u shpreh Ruçi.

Edhe kryeministri Edi Rama bëri deklarata të ngjashme, madje ai akuzoi kryeopozitarin Lulzim Basha për prishje të imazhit.

“Më vjen për të qeshur kur vijnë delegacione për të mbledhur fakte, më takojnë mua dhe ca deputetë dhe mikun tim të shtrenjtë me të cilin na bashkon një rrugë e ndryshme; dashuria për Holandën, Lulzim Bashën dhe mbledhin fakte. Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen në një gjysmë dite, ndërkohë që Komisioni Europian ka një ushtri ekspertësh që hanë fakte, pinë fake dhe dëgjojnë vetëm fakte?!”, deklaroi Rama./ K.S-Politiko.al