Edhe dy muaj të tjerë pritje për konvertimin e patentave ne Itali

768
0

“U tha u bë” deklaronte kryeministri Rama më 12 mars lidhur me çështjen e konvertimit të patentave shqiptare në Itali. Po të shkosh përtej fjalëve të bujshme e të kërkosh në ç’pikë është vërtet përtëritja e marrëveshjes për konvertimin e patentave shqiptare në Itali (dhe të italianeve në Shqipëri) mëson që do të duhen të paktën dy muaj të tjerë pritje deri kur  marrëveshja të vihet në zbatim.

Ndërsa nga Ministria italiane e Transporteve nuk kemi asnjë të re, përgjigjja e sotme e Ambasadës shqiptare në Romë është e shkurtër por thotë shumë.
“… Ju bëjmë me dije – thuhet në mesazhin e Ambasadës – se marrëveshja, teksti i të cilës është dakordësuar nga palët dhe është miratuar në parim me vendimin nr. 144, datë 10.03.2021, të Këshillit të Ministrave, u nënshkrua sot në Tiranë nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhaçka dhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë z. Fabrizio Bucci”. E menjëherë më pas, një fjali që ftoh ndonjë reagim entuziaste: “Sipas parashikimeve të nenit 13, Marrëveshja do të fillojë zbatimin e saj 60 ditë pas njoftimit të fundit të palëve për përfundimin e procedurave të parashikuara ligjore për hyrjen në fuqi të saj nga të dy vendet”.

Duke përmbledhur informacionet e deritanishme i bie që “kemi një vit e ca që flasim e tani e dimë që do të bëhet” që nuk është njësoj me “u tha u bë”.
Kur do të mund të konvertohen vërtet patentat shqiptare në italiane? Pas të paktën dy muajve, nga ç’na thotë ambasada. Sepse teksti që është miratuar në parim në Shqipëri më 10 mars e që është nënshkruar sot – nga ministrja e jashtme për njërën palë e ambasadori për palën tjetër – duhet të kalojë akoma në një sërë zyrash e vetëm me njoftimin reciprok të palëve “për përfundimin e procedurave të parashikuara ligjore për hyrjen në fuqi të saj nga të dy vendet” do të nisë numërimi i 60 ditëve pas të cilave do të nisë zbatimi i marrëveshjes.

Keti Bicoku/ shqiptariiitalise