Një 70-vjeçar shqiptar në Itali është bërë protagonist i një ngjarje të rëndë. I moshuari ka përfunduar në pranga pasi mbrëmjen e së premtes ka goditur disa herë me thikë nusen e djalit të tij.
Luan Xhaxhi goditi vazhdimisht me thikë nusen 28-vjeçare, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, raporton A2.
E reja u transferua me urgjencë në spital. Pas ndërhyrjes së mjekëve ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por do të monitorohet për rreth dhjetë ditë prej stafit të spitalit, shkruan A2.
Incidenti ndodhi në Castelnuovo Garfagnana dhe u raportua nga fqinjët e familjes shqiptare, të cilët u alarmuan nga britmat e 28-vjeçares.
Karabinerët arrestuan menjëherë të moshuarin, i cili në momentin e ndalimit kishte në xhep biletën e avionit për në Tiranë dhe kishte menduar arratisjen, përcjell A2.
70-vjeçari akuzohet për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe aktualisht ndodhet në burgun S. Giorgio në Lucca.
Mosmarrëveshjet mes të moshuarit dhe nuses së djalit kishin nisur pak ditë më parë ku pas një debati me tone të larta mes tyre ishte dashur të ndërhynte policia.
Vjehrri dhe 28-vjeçarja ishin përplasur për vizionin e ndryshëm të rolit të gruas në familje, me vajzën që mbështetej nga bashkëshorti, por jo nga 70-vjeçari.