E pazakontë/ Thahet liqeni i famshëm në Itali, shkencëtarët të shqetësuar

54
0

Moti i thatë këtë dimër ka ngritur shqetësimin se Italia mund të përballet me një tjetër thatësirë, pas situatës alarmante të verës së kaluar. Niveli i ujit në liqenin e famshëm të Gardës në veri të Italisë ka rënë në nivele rekord, duke bërë të mundur arritjen në këmbë në ishullin e vogël të San Biagio-s.

Për situatën e krijuar kanë reaguar edhe shkencëtarët të cilët janë shprehur të shqetësuar për reshjet e pakta të dëborës të akumuluara në Alpe gjatë muajve të dimrit.

Lumi Po, i cili është më i gjati në Itali dhe kalon nga Alpet në veriperëndim e derdhet në Adriatik, aktualisht ka 61% më pak ujë se normalja në këtë periudhë të vitit.

Korrikun e vitit të kaluar, Italia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në zonat rreth lumit Po, aty ku është gati një e treta e bujqësisë së vendit. Thatësira e verës së kaluar u vlerësua si më e keqja e 70 viteve të fundit.

Aktualisht, Europa Perëndimore po kalon një mot me temperatura të larta, jo të zakonshme për këtë periudhë të vitit. Megjithatë, meteorologët kanë parashikuar që në ditët në vijim do të ketë rikthim të reshjeve të dëborës në Alpe.