E pandehte të vdekur, vëllezërit shihen dhe përqafohen për herë të parë pas 44 vitesh!

188
0

Historia e dytë që vjen në “Ka Një Mesazh Për Ty” është rrëqethëse. Moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan shpjegon se si një nënë e braktisur nga të gjithë, merr foshnjën e saj në krahë, e puth dhe detyrohet ta lërë në maternitet. Pas disa kohësh, e penduar ajo rikthehet për të marrë fëmijën, e kërkon ngado por i thonë që nuk jeton më.

44 vite më vonë, fëmija i drejtohet “Ka Një Mesazh Për Ty” duke kërkuar nënën e tij biologjike. Nëna gjendet, por ka kaluar vështirësi të mëdha shëndetësore, sëmundje e operacione dhe nuk mundet të vijë në program. Pasi stafi largohet, instinkti i nënës e shtyn të mendojë se po e kërkon djali dhe nuk dëshiron ta braktisë sërish.

Ajo ia rrëfen historinë djalit tjetër të saj, Mishelit duke i kërkuar që të shkojë ai në vend të saj në program. Kjo shënon edhe një përjashtim nga rregulli i rubrikës sepse gjithmonë është i pranishëm personi që i drejtohet mesazhi, por në këtë rast është një vëlla që kërkon të njohë gjysmën tjetër, ndërsa nëna e pret të birin në shtëpi.

Misheli ka ardhur në studio dhe mëson menjëherë se është vëllai i tij ai që do ta presë. Ai nuk do të ketë mundësi ta shohë deri në momentin që ekrani do të shfaqë pamjen e të dyve njëkohësisht.

Ardit Gjebrea: Si e prite këtë histori?

Mishel: Për mua është okej derisa nëna ime ka pasur një histori të tillë. Unë jam i ndërgjegjshëm në këtë pjesë, ma shpjegoi aq sa ajo dinte, aq sa ajo mbante mend, por që shpresoj të jetë ajo që më ka shpjeguar nëna ime dhe unë e mirëpres shumë.

Ardit Gjebrea: Si e keni përjetuar këto ditë këtë situatë në shtëpi?

Mishel: Mendime nga më të ndryshmet, emocionet, por që është pozitive e gjitha, është shumë pozitive.

Ardit Gjebrea: Ti je fëmijë i vetëm?

Mishel: Po jam i vetëm me nënën time.

Ardit Gjebrea: Nëna dinte që fëmija nuk jeton, apo jo?

Mishel: Po, kjo ishte më se e vërtetë dhe kjo pjesë besoj se e ka rënduar më tepër sesa duhet, tani që ajo mendon se mund të jetë… e ka rënduar emocionalisht.

Mishel: Në fakt ne asnjëherë nuk tregojmë se kush fton sepse të gjithë ju që vini këtu mbeteni, si të them, ajo pjesa që “kush na ka ftuar?” dhe për sa kohë që ftesa ishte për nënën tënde, duhet të vinte ajo dhe ajo duke menduar dhe tha “mos është djali im që unë kam humbur”, atëherë në këtë moment ne nuk mundej që ta linim këtë histori, unë e shpjegova edhe për telespektatorët, kështu që më lejo që të ta them ty të parit. Kemi bërë një përjashtim, jemi njerëz, televizioni ka rregulla, programet kanë rregulla por rregulli kryesor është shpirti, është njerëzillëku siç themi ne dhe në këtë rast më lejo të të them që po, është vëllai yt që do të vijë pas pak.

Ardit Gjebrea: Faleminderit! E mirëpres.

Mishel: Tani, ai sigurisht që ka ftuar nënën tënde dhe unë e shpjegova që mami është e pamundur, ti do të ulesh dhe nuk do ta shohësh vëllain sepse unë do të doja që të shiheshit të dy në të njëjtën kohë dhe ti do të dëgjosh historinë e tij. Ai do të vijë bashkë me bashkëshorten e tij sepse në fakt, historia fillon nga bashkëshortja e tij dhe është shumë interesante.

Misheli e njeh vëllain me emrin Rikbert, siç ia ka rrëfyer nëna e tij por prindërit adoptues e kanë quajtur Erion.

Pas përfundimit të rrëfimit të bashkëshortes, Evisit që tregoi për “Ka Një Mesazh Për Ty” si nisi kërkimi për prindërit e tij biologjikë, Erioni ndan kujtimet e tij. Në anën tjetër të ekranit të studios së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ndodhet vëllai biologjik, Misheli që vetëm po e dëgjon, pa patur ende mundësinë ta shohë.

Vetë Mishelit iu konfirmua vetëm pak më parë që Erioni është vëllai biologjik që prej 44 vitesh e ëma e kishte menduar të vdekur. Erioni s’e ka patur të lehtë ta ndajë historinë e tij dhe as ta pranojë. Kujtimi i parë që i vjen ndërmend është një letër e gjetur në dollap të cilën nuk e kuptonte. Vite më vonë, letra do të konfirmonte fjalët e shoqes së tij që i tha se nuk ishte djali biologjik i asaj familjeje.

Erion: Kam qenë 13-14 vjeç dhe gjej një letër në dollap, por nuk e kuptoja se çfarë ishte. Lexoja emrat, por nuk më shkonte në mend.

Ardit Gjebrea: Çfarë ishte ajo letër?

Erion: Lexova emrat e prindërve dhe emrin tim, pastaj nuk e di, letër gjyqi ishte për të qenë, por nuk i jepja… nuk e kuptoja se çfarë ishte. E lashë kështu si në hije, pastaj filluan vitet duke kaluar…

Ardit Gjebrea: Ti nuk e pyete mamin me babin?

Erion: Jo.

Ardit Gjebrea: Ah, nuk i pyete.

Erion: Jo, fare.

Ardit Gjebrea: Pse? Apo ishe i vogël?

Erion: I vogël, nuk e mora shumë seriozisht që ta gjëmoja atë gjë, e lashë. Pastaj, duke kaluar vitet, shihja njerëzit, reagimet… ndonjë fjalë kështu tek-tuk ose ndoshta më rrinte mua mendja aty gjithë kohës dhe po të dëgjoja ndonjë fjalë, më shkonte mendja te vetja… s’e di.

Ardit Gjebrea: Dhe gjithmonë ka një moment të parë që dikush ta thotë dhe që ty të fillojnë dyshime e mëdha dhe ndoshta mund të jetë ashtu siç e thonë.

Erion: Po, ka qenë mosha 18 vjeç pastaj. Një shoqja ime, në muhabet e sipër, e kisha shumë shoqe dhe më tha që “ti je i birësuar, s’janë prindërit e tu”. U shokova, ngela, nuk… shkova shumë mbrapa, te ajo letra pastaj dhe fillova duke menduar, por isha në ajër, nuk dija asgjë edhe…

Ardit Gjebrea: Nuk pyete prindërit?

Erion: Jo, fare.

Ardit Gjebrea: Fillove të kërkoje vetë për këtë gjë.

Erion: Po, por nuk arrija dot se më priteshin të gjitha rrugët. Mund të shkoja deri diku, por detyrohesha prapë mbrapsht.

Erioni shton se nuk e ka diskutuar kurrë këtë temë me prindërit birësues, por mendon se nëna e tij e ka kuptuar që ai di diçka./tvklan.al