E njeh gjithë Italia, por shqiptaret jo. Kush është Fjona, vloggere e njohur e teknologjisë

45
0

Ajo është një blogere, prezantuese, ndikuese e teknologjisë, krijuese e You Tube, sipërmarrëse dixhitale. Bëhet fjalë pikërisht për Fjona Çakallin, vajza 33 vjeçare me origjinë shqiptare e cila ka një nga ato historitë që transmetojnë këmbënguljen, pasionin dhe vendosmërinë. Vajza e Ludmill Çakallit dhe Tatiana Sulejmanit, primo balerinët e njohur të TKOB gjatë viteve 80’ në Shqipëri tregon dashurinë e saj për teknologjinë dhe jo vetëm

Fjona Çakalli ka lindur në Tiranë nga dy prindër balerinë të njohur të Operës dhe Baletit, Ludmill Çakalli dhe Tatiana Sulejmani. Fati deshi që në momentin kur shpërthyen protestat e vitit 1990 i ati të ishte në Itali pasi kishte fituar një burse si Primo Balerin në “La scala” dhe kur merr vesh se çfarë po ndodhte në Shqipëri, lëviz çdo gurë që të tërheqë bashkëshorten bashkë me vajzën në Itali.

Kështu Fjona transferohet në Vercelli, Itali, në moshën 4 vjeçe dhe nga Tirana do ruaj si thesar kujtimet e lidhur me Teatrin e Operës dhe Baletit ku shpesh kalonte kohën si fëmijë kur performonin prindërit.

Vitet e para janë të vështirë për dy balerinë që janë mësuar më një stil jetese tjetër, ku në rrugët e Tiranës njiheshin dhe respektoheshin nga të gjithë dhe tani u duhej të bënin çdo lloj pune vetëm për të mbijetuar në Itali. Ndaj iu desh kohë derisa të gjenin sërish rrugën e tyre dhe të hapnin një shkollë baleti ku mësojnë të rinjtë Italian.

Fjona ka kaluar shpesh kohën e lirë në skenat e mëdha dhe e rrethuar me artistë dhe ka ndjekur për disa vite kërcimin klasik, por nuk ndan të njëjtin pasion me prindërit e saj për ta kthyer në profesion. Nuk ka ndjerë asnjëherë trysninë dhe ka patur fatin të ketë dy prindër që gjithmonë e kanë mbështetur në zgjedhjet e saj.

Ndaj shpesh në këto shfaqje Fjona ishte prezente fizikisht, por mendjen e kishte tek teknologjia dhe elektronika. I kujtohet hera e parë që babai i dhuroi një Nintendo në vitin 1990 dhe të dy babë e bij filluan të eksploronin botën e re kaq tërheqëse të lojërave elektronike. Ishte dashuri me shikim të parë dhe Fjonës do i duheshin vite për të kuptuar që ky pasion mund të kthehej në një biznes fitimprurës.

“Kam ardhur në moshën 4 vjeçare në Itali dhe gjuhën shqipe e flas vetëm me mamin dhe babin, ndaj kërkoj ndjesë për shqipen time bazike. Në ato vite kur emigruam ishte shumë vështirë dhe mbaj mend që mami dhe babi mendonin vetëm për shkollën time. Unë nuk mbaj mend se si e mësova italishten, por fëmijët mësojnë shpejt. Mbaj mend që mësuesit u habitën sa mirë e dija gjuhën dhe sigurisht mësoja shumë. Babi dhe mami këmbëngulnin që duhet të mësoj, sepse duhet ta meritoj qëndrimin në Itali. Mësoja shumë, ushtrohesha edhe në balet deri në moshën 18 vjeç. Në fillimet e tyre prindërit e mi jepnin mësim në balet. Prindërit e mi jetojnë për baletin”, Tregon Fjona Çakalli historinë e saj të emigrimit në “Ftesë pa 5”.

Në moshën 22 vjeçe aplikon për një pozicion për të shkruajtur rreth produkteve të ndryshme teknologjike. Refuzimi i pozicionit për shkak se nuk kishte eksperiencë ishte momenti që vendosi ta bëj vetë. Kështu nis 6 muaj studim natë e ditë me libra të ndryshëm (jemi në vitin 2007 dhe këto informacione nuk gjendeshin online siç mund ti gjesh kudo dhe falas tani) se si të hapë një blog dhe si të shkruaj një përmbledhje duke analizuar faktorë të ndryshëm për një produkt ose markë specifike.

“Kur e kuptova që në balet nuk mund të kisha suksesin që doja, nisa të mendoj dhe kuptova se kisha aftësi të shkruaj artikuj, më pas të realizoj video për të pajisje të ndryshme për pajisje teknologjike. Nisa të shkruaj, në fillim në mënyrë amatore, e më pas dhe për revista të njohura”, tregon vloggerja e njohur Çakalli.

Ndërkohë që punon me kohë të plotë në kompaninë “Europe Assistance”, kompani ndërkombëtare në fushën e shërbimeve mjekësorë për turistët, kohën e lirë e kalon duke lexuar, luajtur online dhe duke shkruar për eksperiencën e saj personale që pastaj filloi ta ndante online me ndjekësit e saj fillimisht në blog dhe rrjetet sociale, më vonë duke kaluar në platforma të posaçme me ndjekës nga e gjithë bota, siç është Twitch  .

Fjona njihet në twitter rastësisht me Erikën, vajza që më vonë kthehet bashkëpunëtore dhe themelojnë së bashku kompaninë “Tech Princess” ku do të gjeni informacione dhe lajme nga teknologjia, intervista  ne formën e “Talks” dhe video të realizuara qoftë në formën e “review” por edhe promovimit të brandeve të ndryshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.