E keni bërë vaksinën? Nga e marta duhet të paraqisni certifikatë ose tampon negativ, ja kush perjashtohet

292
0

Në datë 4 janar të gjithë punonjësit e administratës pubike, punonjësit e supermarketeve dhe ata të qendrave tregtare duhet të paraqisin certifikatën e vaksinimit në vendet e tyre të punës, ose nëse nuk e kanë duhet të dorëzojnë tampon negativ çdo javë.

Ky është urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë i vendosur një muaj më parë.

Vaksinimi i detyrueshëm vjen si pasojë e ngadalësimit të ritmit të vaksinimit por edhe për shkak të varianteve të reja që janë në qarkullim dhe që mund të përkeqësojnë situatën e pandemisë. Për ata që nuk e kanë bërë vaksinën por e kanë kaluar sëmundjen, e vlefshme mund të jetë dhe certifikata e shërimit që lëshohet nga autoritetet shëndetësore.

Në shërbimin e-Albania qytetarët shqiptarë mund të marrin dëshminë e shërimit nga Covid-19.

Të përjashtuar nga ky urdhër janë ata persona që vuajnë nga problemet shëndetësore që e kanë të pamundur marrjen e dozave të vaksinës anti-Covid. Këto sëmundje janë parashikuar që më herët në njoftimit e Ministrisë së Shëndetësisë.

Deri tani në vendin tonë janë kryer mbi 2.253.000 vaksinime, mbi 1 milion qytetarë janë vaksinuar me dy doza, ndërsa mbi 124 mijë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anti-Covid. Pavarësisht shifrave zyrtare, mbulesa e vaksinimit në vend mbetet ende e ulët dhe ata që hezitojnë më tepër janë të rinjtë.

Në dy vite, Covid u ka marrë jetën mbi 3200 personave në Shqipëri.