E fundit/ Propozimi i KE: Pasaporta e vaksinimit nga qershori e detyrueshme për vendet e BE-së

375
0

Komisioni Evropian ka propozuar se fundmi Digital Green Certificate (Certifikatë Digjitale të Gjelbër) për të lehtësuar lëvizjen e sigurt brenda BE-së, gjatë pandemisë COVID-19.

“Me certifikatën e vaksinimit, ne synojmë të ndihmojmë shtetet anëtare të kthehen në lëvizshmërinë e sigurt dhe të koordinuar”. Kështu u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë shtypi për prezantimin e një pakete të re masash për heqjen e kufizimeve të udhëtimit.

Qytetarët evropianë do të jenë në gjendje të kthehen për të udhëtuar këtë verë duke siguruar prova se ata i janë nënshtruar vaksinës, që kanë një test negativ, ose që janë shëruar nga koronavirusi dhe kanë zhvilluar antitrupa. Këto janë përmbajtjet kryesore të lejes së re Covid të paraqitura nga Komisioni i BE-së për të rifilluar udhëtimet në Evropë. Certifikata duhet të jetë në dispozicion nga qershori në format digjital ose letër dhe ligjërisht e detyrueshme për vendet anëtare, shpjegoi Komisioneri Evropian për Drejtësi, Didier Reynders.

“Digital Green Certificate” do të shërbejë si siguri që një person është vaksinuar kundër COVID-19, ka marrë një rezultat negativ të testit ose është rikuperuar nga COVID-19. Ky dokument do të jetë në dispozicion, pa pagesë, në format digjital ose letër. Ai do të përfshijë një kod QR për të siguruar vërtetësinë e certifikatës.

“Pasaporta e vaksinës së BE, e quajtur zyrtarisht “Digital Green Certificate” do të jetë falas, dygjuhëshe, ndërvepruese, e sigurt, jodiskriminuese dhe e disponueshme në format digjital dhe fizik përmes kodit QR.”

Kjo bëhet për të lehtësuar “lëvizjen e sigurt dhe të lirë” brenda BE-së gjatë pandemisë.

“Digital Green Certificate” do të përmbajë tri certifikata të dallueshme:

Certifikatat e vaksinimit, duke shënuar markën e vaksinës së përdorur, të dhënat dhe vendin e injektimit dhe numrin e dozave të administruara.

Certifikatat e testit negativ (testi NAAT / RT-PCR ose një test i shpejtë i antigjenit).

Certifikata mjekësore për njerëzit që janë rikuperuar kohët e fundit nga COVID-19.