E fundit! Ndryshon mosha, ja rregullat e reja për të marrë patentë

799
0

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka njoftuar ndryshimin e moshës së marrjes së lejes së drejtimit, për automjete të kategorive të ndryshme.

Kështu për të marrë lejen e drejtimit për kategoritë A1 dhe A2, mosha minimale për t’u pajisur me leje drejtimi mbetet 18 vjeç. Bëhet fjalë për të gjitha motorët me dhe pa kosh dhe me cilindratë deri 125 cm³ dhe fuqi maksimale deri 11 kw.

Ndërkohë që për kategorinë A, për të pasur të drejtën e lejes së drejtimit, duhet minimalisht të keni 2 vite të pajisur me patentë të kategorisë A2. Në këtë rast bëhet fjalë për motorët me fuqi më të madhe se 15 kw.

Ndërkohë në kategorinë B, ose thënë ndryshe për veturat, mosha minimale për patentë vazhdon të jetë mosha 18 vjeç. Pra, ato automjete me masë maksimale të autorizuar jo më të madhe se 3500 kg dhe me jo më shumë se tetë ndenjëse, përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit.

Ndërkohë, për këtë kategori automjetesh dhe me rimorkio, nevojitet të keni minimalisht një vit patentë të kategorisë B. E njëjta gjë vlen edhe për kategorinë BE, ku sërish për të marrë këtë patentë nevojitet të keni minimalisht që jeni pajisur me patentë të kategorisë B.

Po ashtu edhe për kategorinë C1, duhet të keni minimalisht një vit që keni leje drejtimi të kategorisë B. Këtu përfshihen ato automjete masa maksimale e autorizuar e të cilëve i kalon 3500 kg, por jo më shumë se 7500 kg ose i projektuar dhe i konstruktuar për transportin e jo më shumë se tetë pasagjerëve.

Ndërsa, për të pasur të drejtën për t’u pajisur me leje drejtimi të kategorisë C, ose automjete masa maksimale e autorizuar e të cilëve i kalon 3500 kg dhe të projektuar e konstruktuar për transportin e jo më shumë se tetë pasagjerëve, do të duhet të keni minimalisht 3 vite që keni marrë patentën e kategorisë B.

Për të pasur, leje drejtimi të kategorisë C1E, ose kombinimi i një mjeti motorik të kategorisë C1 dhe një rimorkioje ku masa maksimale e autorizuar është më shumë se 750 kg, por masa maksimale e autorizuar e kompleksit të formuar nuk i kalon 12000 kg, atëherë duhet të keni të paktën një vit që zotëroni leje drejtimi të kategorisë C1.

Ndërsa për kategorinë CE, do të duhet të keni të paktën një vit që zotëroni patentë të kategorisë C.
E njëjta gjë vlen edhe për ata që do të duan të pajisen me patentë të kategorisë D1, ku përfshihen ato mjete të projektuar për jo më shumë se 16 pasagjerë, përjashtuar drejtuesin e automjetit, dhe me gjatësi maksimale që nuk i kalon 8 m, shkruan ‘Gsh’.

Ndërkohë që për lejen e drejtimit të kategorisë D, do të duhet që të keni të paktën 3 vite që zotëroni leje drejtimi të kategorisë C.
Nga ana tjetër, për patentë të kategorisë D1E, do të duhet të keni të paktën një vit të pajisur me patentë D1. Dhe në fund, për kategorinë DE duhet të keni të paktën një vit të pajisur me patentë D.