Dyfishohen te prekurit ne 24 ore, shtohen zonat e gjelbra

347
0

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bere perditesimin e 24 orëve të fundit ku janë konfirmuar 12 raste të reja me koronavirus në vendin tonë nga 170 qytetarë të testuar në total, ndërkohë që numri i personave të infektuar shkon në 868.

Shpërndarja e të prekurve me COVID19 është si vijon: 8 raste në Tiranë, 2 në Kamëz, 1 në Krujë dhe 1 në Fier.

Ndërkohë që 23 qytetarë kanë fituar betejën me koronavirusin në vendin tonë duke e çuar në 650 numrin e të shëruarve (75% e rasteve të infektuar).

Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë të shtruar 29 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive, dhe prej më shumë se 10 ditësh nuk ka asnjë humbje jete.

Nga nesër shtohen si zona të gjelbërta bashkitë: Lushnje, Patos, Roskovec, Korcë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrez, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejes, Kavajë dhe Vorë, me të njëjtat rregulla.

Në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbërta me automjet privat, duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njejtës familje, deri në orën 21:00.

Po kështu, lejohen të ushtrojnë veprimtarinë sipas protokolleve strikte të sigurisë, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregëtare.

Duke filluar nga data 11 Maj të gjithë të riatdhesuarit do të vetëkarantinohen në banesë.

“Pavarësisht lehtësimit të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i fton qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, njofton Ministria e Shëndetësisë.